Rajon

Maqedonia nis hetimet pasi prifti “bekoi” veturat e Policisë

Maqedonia nis hetimet pasi prifti “bekoi” veturat e Policisë

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka njoftuar se autoritetet kanë marrë masa për të sqaruar rrethanat e plota mbi fotografitë në të cilat shihet një prift teksa “i bekon” disa vetura të Policisë, brenda oborrit të kësaj ministrie.

Në një reagim për mediat, Ministria ka thënë se do të informojë opinionin me kohë për ngjarjen.

“Lidhur me fotografitë e publikuara, Ministria e Brendshme ju informon se Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme po merr masa dhe aktivitete të përshtatshme për të përcaktuar plotësisht rrethanat, pas së cilave publiku do të informohet në mënyrë të përshtatshme”, deklaroi Ministria e Brendshme, transmeton portalb.

Ditë më parë u publikuan disa fotografi në rrjetet sociale duke shkaktuar reagime në Maqedoni. Në to shihet një prift teksa u afrohet automjeteve zyrtare të Policisë. Afër duken edhe zyrtarë policorë.