PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Të drejtat që duhen gëzuar fëmijët

Sikurse çdo person, edhe fëmijët kanë të drejtat e tyre. Të gjithë fëmijët në të gjithë botën kanë të drejtë për çdo gjë që i ndihmon ata të jetojnë një jetë të shëndetshme dhe të sigurt pavarësisht kush janë ata, nga cili vend janë rritur, çfarë besojnë apo çfarë gjinie kanë. Madje këto të drejta janë të mbrojtura nga qeveritë në mbarë botën. Ato kanë krijuar një marrëveshje të veçantë për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve. Dhe këto të drejta mbrohen përmes një dokumenti që njihet me emrin Konventa e të Drejtave të Fëmijëve.

Konventat janë sikurse premtimet, pra është një gjë shumë e mirë. Kjo do të thotë se të rriturit sigurohen që fëmijët të gëzojnë të drejtat e tyre.

Së pari, çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë. Fëmijët nuk duhet të trajtohen ndryshe nga të tjerët për shkak të gjinisë, racës, fesë apo përkatësisë etnike. Secili fëmijë është i ndryshëm dhe të gjithë duhet të pranojnë shumë dashuri.

Gjithashtu fëmijët kanë të drejtë të kenë familje. Pra të kenë një jetë të lumtur me prindërit apo kujdestarët.

Çdo fëmijë ka të drejtë për kujdes të mirë shëndetësor.

E nëse ndonjëherë sëmureni, askush nuk mund të ju ndalojë kujdesin shëndetësor. Ju keni të drejtën për një shëndet të mire dhe për vizita te mjeku.

E shëndeti i mirë varet shumë nga ushqimi, prandaj edhe të ushqyerit cilësohet si një e drejtë që ju takon atyre. Duke konsumuar gjëra të shëndetshme, fëmijët rriten të shëndetshëm.

Nuk ka rëndësi nëse fëmija është djalë apo vajzë. Çdo fëmijë ka të drejtën edukimit, pavarësisht kush është ai dhe nga cili vend vjen. Dituria është fuqi!

Asnjë fëmijë nuk duhet të lihet anash për shkak të ngjyrës së lëkurës, gjinisë, gjuhës, fesë, varfërisë ose pasurisë...

Gjithashtu, fëmijët kanë të drejtën për mbrojtje, që do të thotë se duhet të jenë të sigurt nga çdo lloj dhune, kudo që ndodh ajo, në familje, shkollë apo në rrugë.

Vetëm pse janë fëmijë nuk do të thotë se mendimet e tyre duhet të qëndrojnë në heshtje. Pra, çdo fëmijë ka të drejtë të dëgjohet dhe të shprehë mendimin e tij për të gjitha çështjet që lidhen me jetën e tij. Çdo fëmijë ka edhe përgjegjësinë për të shprehur mendimin e tij, duke respektuar edhe të drejtat e të tjerëve.

Çdo fëmijë ka edhe të drejtë për pushim dhe kohë të lirë, në të cilën mund të luajë dhe të argëtohet.