7 Marsi apo ndryshe, Dita e Mësuesit, është njëra prej festave më të rëndësishme për vendin tonë. Çdo vit nxënësit organizojnë aktivitete të ndryshme për ta festuar këtë ditë. Mirëpo për nxënësit e shkollës “Asim Vokshi”, ky 7 Mars ishte më ndryshe. Përveçse shënuan Ditën e Mësuesit, ata gjithashtu u përshëndetën me arsimtaren e tyre të gjuhës shqipe, e cila po pensionohej. Për këtë arsye ata së bashku me të organizuan një orë letrare.
Nxënësit mezi pritnin të tregonin njohuritë e tyre për këtë ditë dhe të diskutonin rreth kësaj feste historike për popullin tonë. Mirëpo, përveç njohurive, ata shprehën ndjenjat që kishin për ndarjen nga arsimtarja e tyre e dashur.
Nuk mjaftuan vetëm këto fjalë të mbushura me shumë emocion, për të treguar se si ndihen për këtë ngjarje. Nxënësit për të nderuar punën e arsimtares së tyre kishin përgatitur edhe poezi dedikuar asaj.
Më shumë për rëndësinë e profesionit të shenjtë të mësuesit na tregoi arsimtarja e gjuhës shqipe e kësaj shkolle, Mevlude Gashi. Gjithashtu ajo shprehte edhe ndjesitë që sjell Dita e Mësuesit për të, sidomos këtë vit.
Gjatë përvojës shumëvjeçare të arsimtares, në arsim kanë ndodhur ndryshime të shumta me të cilat asaj i është dashur të përshtatet me kalimin e vjetëve. Madje është pikërisht kjo përvojë e gjatë që e bën akoma më të vështirë ndarjen me nxënësit dhe profesionin e mësuesit.
Vitet e shumta, puna, përkushtimi, dashuria dhe pasioni e bëjnë profesionin e mësuesit njërin prej profesioneve më të rëndësishme, e këtë e dëshmoi edhe arsimtarja Mevlude, e cila me shumë energji dhe përkushtim ndaj punës ka përcjellë gjenerata të shumta. E tani erdhi koha që edhe ajo të shkëputë rrugëtimin e saj të gjatë si arsimtare e gjuhës shqipe. Mirëpo të gjithë nxënësit e saj do ta kujtojnë atë si një arsimtare shumë të dashur dhe punëtore.
-
Osmani: Mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan që ta mbanin gjallë gjuhën shqipe, në shtëpi e bodrume
-
Arta Gashi-Ahmetaj shpallet “Mësimdhënësja e Vitit”
-
Gëzim dhe mirënjohje për 7 dhe 8 Mars!
-
Harmonia e gëzueshme: Një festë e veçantë për mësuesit dhe nënat e mahnitshme!
-
Mësimdhënësit vlerësohen me dhurata e çmime në ditën e “7 Marsit”