PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Pse është e rëndësishme të mësojmë gjuhë të huaja?

Është shumë e rëndësishme që ne të flasim dhe të dimë shumë mirë gjuhën shqipe. Gjithashtu të shkruajmë bukur gjuhën tonë, pa gabime dhe në mënyrë të drejtë gramatikore. Por, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të mësojmë edhe gjuhë të tjera, pasi në botë ka shumë gjuhë të ndryshme dhe mjaft interesante. Në fakt ka shumë rëndësi që ne të mësojmë gjuhë të huaja. Por, a e dini pse? Tani do t’i përgjigjemi së bashku kësaj pyetjeje.

Kuptimi i më shumë se një gjuhe e bën më të lehtë udhëtimin në botë dhe ndërveprimin me njerëzit e tjerë. Gjithashtu mësimi i gjuhës ka efekte të jashtëzakonshme për trurin tonë. Të mësosh se si të mendosh dhe të komunikosh në një gjuhë tjetër i jep trurit stërvitje të fuqishme. Personat që flasin dy e më shumë gjuhë kanë të zhvilluar zonat e trurit që janë përgjegjëse për të folurit.

Kur ne flasim në shumë gjuhë do të kemi madje edhe rezultate më të mira në shkollë, sepse kuptojmë më shumë leximin, kemi memorie më të fortë dhe e kemi më të lehtë të zbatojmë logjikën.

Duke njohur gjuhët e tjera, përveçse mësojmë se si të flasim, si të lexojmë dhe si të shkruajmë në atë gjuhë, ne mësojmë shumë më shumë se kaq. Kur lexojmë tekste në gjuhë të tjera, ne mësojmë për kulturat e shteteve të ndryshme, për festat, ushqimet, traditat, vendet turistike dhe veshjet. Kjo na ndihmon të fitojmë njohuri të shumta dhe të vlerësojmë diversitetin që mbizotëron në botë. Sepse, përmes këtyre njohurive ne e kuptojmë se sa e larmishme është bota dhe sa shumë gjëra interesante ka ajo.

Pra, të mësuarit e gjuhës ka shumë vlera dhe na ndihmon që ne të rritemi dhe të bëhemi të aftë për shumë gjëra që na presin në jetë. Nuk ka rëndësi se cilat gjuhë ju i mësoni, secila prej tyre ka përfitimet e saj. Mjafton që t’i mësoni ato me përkushtim dhe të njiheni akoma më shumë me botën dhe kulturat përreth. Prandaj, të dashur fëmijë, filloni që tani mësimin e gjuhës suaj të preferuar.