Mësimi i një gjuhe shtesë mund të ketë më tepër rol sesa vetëm t’ju ndihmojë gjatë pushimeve. Në fakt mund të ngadalësojë procesin e plakjes, shkruan “FemaleFirst”.
Një studim me 86 mijë persona të moshave nga 51 deri 90 vjeç në 27 shtete evropiane zbuloi se njerëzit që flisnin tri apo më tepër gjuhë kishin më pak gjasa të tregonin shenja të “plakjes së përshpejtuar” sesa ata që flisnin vetëm një.
Hulumtuesit nga Qendra Baske për Trurin, Gjuhët dhe Aftësitë Njohëse krahasuan moshën biologjike të pjesëmarrësve – të matur përmes faktorëve fizikë, njohës dhe stilit të jetesës, siç është shëndeti i zemrës, nivelet e aktivitetit dhe cilësia e gjumit – me moshën e tyre aktuale.
Ata zbuluan se personat që flasin shumë gjuhë kishin tendencë të kishin një hendek më të vogël mes të dyjave, duke sugjeruar se trupat dhe truri i tyre po plakeshin më ngadalë.
“Duke ditur më tepër gjuhë mund të mos ju mundësojë thjeshtë të flisni me më shumë njerëz ose të hapni horizonte të reja kulturore – është e mundur që ju ndihmon të plakeni shëndetshëm”, kanë shkruar në një analizë të pavarur të studimit, Jason Rothman dhe Federico Gallo nga Universiteti i Lancasterit.