Pas mbledhjes me trajnerin si çdoherë para stërvitjes për të biseduar për ekipin dhe ushtrimet, fëmijët e shkollës së basketbollit “Dardania”, mezi prisnin që stërvitja të fillonte. Të gatshëm dhe të pasionuar, ata ushtronin më shumë përkushtim.
Te secili prej tyre vërehej dëshira e madhe për të praktikuar sportin e basketbollit. Driblimet, pasimet dhe lëvizjet që ka ky sport, i praktikonin shumë herë përmes ushtrimeve të ndryshme. Në mënyrë që këto lëvizje të përsosen dhe kështu të bëhen të gatshëm që të luajnë këtë sport.
Shkolla “Dardania” po shënon 25-vjetorin e themelimit të saj. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe, talentë të shumtë të basketbollit të vendit tonë kanë marrë mësimet e para në këtë shkollë. Disiplina, përkushtimi dhe argëtimi që ofron kjo shkollë e bëjnë vijimin e saj akoma më të veçantë. E gjithë kjo arrihet falë punës së pandalshme të trajnerit, Blerim Krasniqi, i cili me shumë vullnet i ushtron gjithmonë fëmijët.
Këshillat e tij për çdo detaj të sportit të basketbollit i ndihmojnë fëmijët që të përmirësojnë lojën e tyre. Gjithashtu, ai vazhdimisht i motivon ata, duke i drejtuar në rrugën e duhur për të arritur sukses.
Falë stërvitjeve, fëmijët kanë bërë shumë miq dhe argëtohen edhe më shumë duke luajtur me ta. Ngase basketbolli është sport grupor dhe bashkëpunimi mes lojtarëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm, ata duhet të krijojnë një miqësi të ngrohtë mes vete për të arritur suksese së bashku. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të realizojnë ëndrrat që kanë në këtë sport.
Pra, këta talentë të rinj janë ambiciozë dhe kanë shfaqur shpirtin e tyre garues. Kjo i bën ata shumë premtues për të ardhmen.