Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Aktivitete me fëmijë për format gjeometrike

Kudo përreth nesh ne jemi të rrethuar me objekte të ndryshme, të cilat dallohen për nga forma, ngjyra, madhësia dhe funksioni i tyre. Ekzistojnë lloje të ndryshme të formave gjeometrike, me të cilat familjarizohemi që nga fëmijëria.

Pas diskutimit me fëmijët e grupit parafillor të akademisë “Loja” ishte radha që ata të testonin njohuritë e tyre rreth formave gjeometrike. Secili nga ta realizonte aktivitete të ndryshme me tematikën e njëjtë.

Disa fëmijë prisnin objekte të ndryshme dhe më pas duhet t’i ngjisnin ato në vendin e duhur në bazë të formës së tyre gjeometrike. Ata duhet të dallonin mes vete format gjeometrike si rrethi, trekëndëshi, katrori dhe drejtkëndëshi.

Grupi tjetër i fëmijëve zhvillonte aktivitete të ndryshme sipas teknikave të Montessorit, sipas të cilave fëmijët duhet vet të përmbushin qëllimet e këtyre aktiviteteve dhe lojërave. Ata ishin mjaft të njohur me figurat dhe trupat gjeometrike, kështu e kishin të lehtë të realizonin aktivitetet me shumë sukses.

Aktivitetet me fëmijët nuk mbaronin. Ata duke u argëtuar vazhduan realizimin e aktiviteteve të llojllojshme përmes udhëzimeve të edukatoreve të tyre. Format gjeometrike ishin bërë shumë të dashura për ta dhe me shumë kënaqësi në mënyrë individuale të gjithë zhvillonin aktivitetin e tyre.

Pra, format gjeometrike mund të mësohen në mënyra të ndryshme. Mjafton që të tregoheni kreativ dhe të zhvilloni aktivitete dhe lojëra të llojllojshme, në mënyrë që të mësoni format gjeometrike dhe t’i dalloni ato në mjedisin përreth. Në këtë mënyrë nuk do t’i harroni asnjëherë ato.