Vëmendja në Lojërat Olimpike të Parisit ishte te Simone Biles që bëri rikthim sensacional, ndërsa të gjithë shikonin shfaqjen e saj brenda dhe jashtë arenave të gjimnastikës.
Të gjithë sytë ishin te Biles që fitoi katër medalje, por shumë emra të rinj e fytyra të reja dolën në pah.
Lojërat Olimpike do të mbahen mend për arenat e skenat që lanë shumë kë pa frymë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë Olimpiadën “Parisi 2024”, “breakdance” debutoi si sport olimpik.
Notari francez, Leon Marchand, bëri shfaqje të ngjashme në shtëpi si ato të Michael Phelpsit, duke i fituar pesë medalje në total. Katër prej tyre ishin të arta.
Noah Lyles e fitoi epitetin e njeriut më të shpejtë në botë pas triumfit në garën e vrapimit 100 metra.
Ai, megjithatë, përfundoi në vendin e tretë në 200 metra vrapim. Dështoi ta fitonte disiplinën në të cilën nuk ishte humbje tash e tre vjet, që nga “Tokio 2020”. Pas garës njoftoi se ishte me COVID.
Sha’Carri Richardson shkëlqeu në stafetën 4x100 metra me ekipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi e fitoi të argjendtën në 100 metra vrapim.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën të parat në listën përfundimtare të medaljeve. Kjo u arrit në ditën e fundit. Ekipi i basketbollisteve triumfoi ndaj Francës në finale.
E arta Biles
Superylli amerikan, Simone Biles, u kthye në Lojëra Olimpike pasi u tërhoq nga disa gara të Lojërave Olimpike në Tokio për shkak të shëndetit mendor. I fitoi katër medalje, prej të cilave tri ishin të arta.
Ajo mori vëmendjen e të gjithëve në Paris dhe garoi në salla të mbushura plot me tifozë. Platforma televizive që i transmetoi garat e Lojërave Olimpike ka thënë se 34.7 milionë njerëz e kanë ndjekur Bilesin.
Ajo vlerësohet njëra prej gjimnasteve më të mira të të gjitha kohëve.
Telashet e amerikanëve në not
Nëntë ditët e garave të notit ishin shumë të vështira për amerikanët, që mezi e morën kryesimin në renditjen e medaljeve në këtë sport. Atyre iu desh një fitore në garën e fundit për të dalë në vendin e parë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfunduan me tetë medalje të arta në not, më së paku që prej Lojërave Olimpike “Seul 1988”.
SHBA-ja kishte vetëm një medalje të artë më shumë sesa Australia, që ishte rivalja më e madhe e saj.
“Është njëra prej paraqitjeve më të dobëta në histori për ekipin e SHBA-së”, ka thënë Phelps, olimpisti më i dekoruar në histori.
Pjesa tjetër e shteteve pati 20 fitore, më shumë sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australia së bashku. Është hera e parë që ndodh kjo që prej Lojërave Olimpike “Atlanta 1996”.
Dominimi në atletikë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën 34 medalje gjithsej në atletikë, ndërsa 14 prej tyre ishin të arta. Amerikanët ishin më të mirët në “mbretëreshën e sporteve”.
Dhe kjo u arrit pavarësisht dështimit të Richardsonit që nuk e fitoi të artën në garën e vrapimit 100 metra, humbjes së Lylesit në 200 metra edhe pse ishte me koronavirus, si dhe diskualifikimit në stafetën 4x100 metra.
SHBA-ja megjithatë arriti të vendosë rekorde.
Sydney McLaughlin-Levrone vendosi tjetër rekord botëror në triumfin në vrapimin 400 metra me pengesa. Ajo më pas ishte pjesë e ekipit të stafetës 4x400 metra. Bashkë me Gabby Thomasin udhëhoqën ekipin e SHBA-së në triumfin e natës finale në “Stade de France”.
Edhe atletët e SHBA-së e fituan medaljen e artë në këtë garë.
Tjetër triumf në basketboll
Stephen Curry edhe një herë tjetër shfaqi potencialin që e ka, dhe më në fund e fitoi medaljen e artë olimpike.
Curry shënoi 24 pikë dhe e udhëhoqi SHBA-në në fitoren 98:87 kundër Francës, në turneun olimpik të basketbollit. Ishte medalja e pestë rresht e artë për basketbollistët amerikanë dhe e 17-ta në 20 paraqitje për SHBA-në në Lojërat Olimpike.
Kevin Durant, medalisti i katërfishtë i artë, dhe i pari në historinë e Olimpiadave që e arrin këtë sukses në basketboll, shënoi 15 pikë, aq sa pati edhe Devin Booker. Ndërkohë, LeBron James, i cili pati mbathur këpucë me shkëlqim ari, shënoi 14 pikë. E fitoi medaljen e katërt olimpike dhe të tretën me shkëlqim ari.
Amerikanet, sërish të parat në futboll
Ekipi i futbollisteve të SHBA-së e fitoi medaljen e pestë të artë olimpike, pas fitores 1:0 ndaj Brazilit në finale. Amerikanet nuk e kishin fituar medaljen e artë që prej Lojërave Olimpike “Londra 2012”.
E arta olimpike u arrit nën drejtimin e selektores së re, Emma Hayes, që debutoi në krye të amerikaneve.
Diskutimet për boksin
Boksi i grave është përfshirë në një debat të gjerë për dy boksieret për të cilat kishte dyshime nëse duhej të lejohen të merrnin pjesë në turneun olimpik.
Imane Khelif e Algjerisë dhe Li Yu-ting e Tajvanit vitin e kaluar ishin përjashtuar nga Kampionati Botëror nga Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit (IBA), me arsyetimin se kishin dështuar në testin për kromozome. IBA kishte përmendur edhe papërshtatshmërinë gjinore të tyre.
Khelifi i rezistoi abuzimit që iu bë nga e gjithë bota dhe e fitoi medaljen e artë në kategorinë uelter.
Edhe Lin e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 57 kilogramë, ndërsa për Tajvanin ishte medalja e parë olimpike e artë e fituar në boks.
“Unë jam grua, njësoj si çdo grua tjetër. Kam lindur e tillë, kam jetuar si grua”, ka thënë Khelif pas fitores.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vitin e kaluar ia hoqi njohjen IBA-s për “dështimin për të zbatuar reformat në qeverisje dhe financa”.