Boksierja algjeriane Imane Khelif do të luftojë të premten për medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Khelif të martën dominoi përballjen gjysmëfinale me tajlandezen Janjaem Suwannapheng dhe fitoi me vendim unanim.
Khelif ka qenë në qendër të vëmendjes, si një prej dy boksiereve në Paris së bashku me tajvanezen Lin Yu-Ting, që po garojnë ndonëse ishin diskualifikuar nga Botërori i vitit të kaluar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Boksit për shkak të dështimit në testin gjinor.
IBA ndalon boksieret me kromozome XY të burrave që të garojnë në konkurrencë të grave.
Ajo e ka të garantuar medaljen e argjendtë. Algjeriania po merr pjesë për herë të dytë në Lojërat Olimpike. Kishte garuar në Tokio tri vjet më parë kur u eliminua në çerekfinale. Ajo garon në kategorinë velter.
Algjeria kurrë s’ka fituar medalje të artë olimpike në boks.