Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Trashëgimia vdekjeprurëse e Ajetollah Khameneit

Brenda pak orësh pas shpërthimit masiv afër kompleksit në Teheran të Liderit Suprem të Iranit, Ajetollahut Ali Khamenei, mëngjesin e 28 shkurtit, burime izraelite dhe amerikane njoftuan – dhe mediat shtetërore iraniane më vonë e konfirmuan – se Khamenei është vrarë.

Përreth qyteteve iraniane dhe mes komuniteteve të diasporës shpërthyen festime spontane, një katarsis ky i zemërimit publik të akumuluar gjatë dekadave të represionit nën regjimin e Khameneit, përfshirë edhe për shtypjen e dhunshme të protestave mbarëkombëtare të janarit, në të cilat forcat qeveritare raportohet se i vranë apo i arrestuan me dhjetëra mijëra demonstrues. Por tronditja nga vdekja e Khameneit jo domosdoshmërish e sinjalizon shembje e aparatit të sigurisë dhe të politikës, për ndërtimin e të cilave ai i shpenzoi pothuajse katër dekada kohë. Kjo strukturë institucionale e pushtetit mund në fakt të jetë trashëgimia e tij më e qëndrueshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kur themeluesi i Republikës Islamike, Ajetollahu Ruhollah Khomeini, vdiq më 1989, pak njerëz të brendshëm e panë Khamenein si pasues dominues apo transformues. Nën nenin 109 të Kushtetutës së Iranit, liderit suprem fillimisht i kërkohet ta mbajë statusin e “marjaʿ-e taqlid”-it, apo të Ajetollahut të madh, që e përbën nivelin më të lartë të autoritetit fetar shiit – një kualifikim që Khamenei nuk e zotëronte. Megjithëkëtë, pak muaj nga vdekja e Khomeinit, neni 109 u amendamentua. Kërkesa për ta arritur rangun suprem klerikale të Ajetollahut të Madh u zëvendësua me kualifikime më të përgjithshme politike e fetare.

Në të njëjtën kohë, modeli i një lideri të vetëm suprem, të pajisur me kompetenca të gjera, u përforcua. 

Shumë njerëz, përfshirë edhe figurat e rëndësishme revolucionare, besuan se Khamenei do të luaj rol më shumë simbolik, duke e deleguar autoritetin qeverisës te zyrtarët e zgjedhur, sikurse presidenti. Ata kishin gabuar rëndë.

Gjatë dekadave pasuese, Khamenei gradualisht e transformoi postin e Liderit Suprem nga një autoritet mbikëqyrës në strukturën qendrore komanduese të Republikës Islamike. Inovacioni i tij politik më me së shumti pasoja qe rikonfigurimi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Përderisa Khomeini e spikati kufizimin e përfshirjes së ushtrisë në çështje politike, Khamenei u mbështet në nenin 110 të Kushtetutës – i cili ia garanton Liderit Suprem komandën mbi të gjitha forcat e armatosura – për ta kultivuar një aparat sigurie skajshmërish besnik.

Duke mos qenë më veç një institucion ushtarak, Garda Revolucionare nën Khamenein u shndërrua në konglomerat politik e ekonomik të përfshirë në pothuajse në çdo sektor madhor të ekonomisë së Iranit, nisur nga infrastruktura deri te ndërtimi i rrjeteve të telekomunikacionit, si dhe projektet energjetike dhe tregtia e naftës. Sistemi që Khamenei e krijoi ishte i atillë në të cilin besnikëria ushtarake, interesat financiare dhe mbijetesa e regjimit u bënë përforcuese të njëra-tjetrës. Autoriteti i tij politik u sigurua sa nga varësia institucionale, aq edhe nga ideologjia.

Për të konsoliduar edhe më shumë pushtetin e tij, Khamenei e përdori kontroll mbi Këshillin e Gardianëve, i cili u krijua nën Nenit 91 të Kushtetutës me synimin e ruajtjes së ekuilibrit institucional. Këshilli i Gardianëve përbëhet nga gjashtë juristë islamikë të caktuar drejtpërsëdrejti nga lideri suprem dhe gjashtë ekspertë juridikë, të nominuar nga udhëheqësi i gjyqësorit dhe të miratuar nga parlamenti. Por nën nenin 157, lideri suprem e cakton udhëheqësin e gjyqësorit, duke e pasur kësisoj fjalën e fundit mbi të gjithë 12 anëtarët. Me kalimin e kohës, autoriteti i Këshillit të Gardianëve për t’i verifikuar kandidatët për parlament lejoi që atij t’i tkurret fushëveprimi politik veç te ata individë që shihen të pranueshëm nga regjimi.

Dinamikë e njëjtë u zhvillua edhe përbrenda Asamblesë së Ekspertëve. Në nenet 107 dhe 111 të Kushtetutës, Asambleja është përgjegjëse për mbikëqyrjen e liderit suprem dhe emërimin e pasardhësit të tij. Ky trup supozohet të ketë të paktë mekanizma kushtetues të kontrollit të autoritetit të tij. Por në praktikë, kandidatët së pari duhet të miratohen nga Këshilli i Gardianëve, duke e krijuar kësisoj një cikël në të cilin ndikimi i liderit suprem zgjerohet te institucioni që supozohet ta mbikëqyrë atë.

Kushtetuta e Iranit e ofron një mekanizëm ligjor për pasimin e udhëheqjes. Pas vdekjes apo paaftësisë së liderit suprem, Neni 111 përcakton që autoriteti ekzekutiv i transferohet përkohësisht një Këshilli të përbërë nga presidenti, udhëheqësi i gjyqësorit dhe një juristi të Këshillit të Gardianëve që zgjidhet nga Këshilli i Përcaktimit të Përshtatshmërisë. Por kjo e supozon pavarësinë institucionale, të cilën Khamenei e minoi shumë efektivisht.

Edhe megjithëkëtë, sistemi që Khamenei ndihmoi të krijohej do ta mbijetojë vdekjen e tij. Rrjetet që i qeverisin gjyqësorin, establishmentin e sigurisë dhe institucionet klerikale mbeten thellësisht të ndërlidhura. Gjatë sundimit të Khameneit, autoriteti u mbështet përherë e më shumë te një përzierje e legjitimitetit fetar, besnikërisë ushtarake dhe kontrollit ekonomik, që të gjitha të ankoruara përbrenda mekanizmave kushtetues që e përqendrojnë pushtetin duke e ruajtur pamjen e jashtme të ligjshmërisë. Pasardhësi i Khameneit do ta trashëgojë jo veç një post politik, por edhe një arkitekturë institucionale të projektuar për ta riprodhuar autoritetin e centralizuar. Prandaj, Irani përballet me një moment të pasigurisë së thellë autoritare, meqë as rrëzimi i regjimit dhe as transicion i parashikueshëm nuk duken të mundshëm. 

Institucionet qeverisëse do të mbeten të paprekura edhe kur legjitimiteti politik dobësohet dhe çështja e trashëgimisë kontestohet, mbase edhe dhunshëm. Pa reforma strukturore, i njëjti përqendrim i pushtetit mund t’i transferohet një lideri të ri suprem, duke e vazhduar stagnimin politik të Iranit.
Ndryshimi i përnjëmendtë e afatgjatë në Iran do të varet më pak nga ajo se kush e pason Khamenein sesa nga fakti nëse trashëgimia e tij institucionale zhbëhet. Problemi është se përfituesit e sistemit të vjetër nuk ka gjasa ta pranojnë në heshtje një kornizë qeverisëse krejtësisht të re. Por pa rishikim të thellë të pushtetit ekzekutiv, të dominimit ekonomik të Gardës Revolucionare dhe të mekanizmave që e kontrollojnë pjesëmarrjen politike, sistemi autoritar i Iranit thjeshtë do të riekuilibrohet.

(Autorja është studiuese e së drejtës kushtetuese në Universitetin e Chicagos dhe pedagoge e së drejtës së të drejtave të njeriut, puna e së cilës përqendrohet te strukturat e pushtetit dhe te ndryshimet politike në Lindjen e Mesme. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore).