Megjithëse pranvera ka filluar dy muaj më parë, në Prishtinë është mbjellë fare pak në zonat publike, ku mungon edhe gjelbërimi.
“Hortikultura” ende nuk e ka përfunduar mbjelljen e luleve, përderisa mirëmbajtja dhe kositja e barit janë një punë që duhet bërë paralelisht me të.
Parku i ri i “Arbërisë” dhe hapësirat e tjera gjelbëruese të kryeqytetit lënë për të dëshiruar, përderisa lulet e mbjella nuk janë në gjendje të mirë.
Qytetarët ankohen për mungesë të hapësirave të gjelbra në Prishtinë.
Për këtë është ankuar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke deklaruar se nuk është i kënaqur me punën e “Hortikulturës”.
Por jo shumë kohë më pas, Rama ka ndryshuar qëndrimin dhe ka shpërndarë një fotografi ku shfaq gjelbërimin në Prishtinë.
Sipas tij, pas kritikave “Hortikultura” ka filluar të punojë më mirë.
“Realisht punojmë si ndërmarrje komunale dhe te largimi i mbeturinave kemi pasur çalime, sepse në të kaluarën nuk i kemi larguar mbeturinat nga pronat private”, tha rama.
Udhëheqja e “Hortikulturës” thotë se problemi ka qenë tek mospastrimi i pronave private e të cilat tashmë ata kanë filluar që t’i pastrojnë.
Kryeshefi i “Hortikulturës”, Isak Rakovica, shton se janë angazhuar 203 punëtorë për mirëmbajtjen e Prishtinës dhe se janë duke bërë më të mirën e mundshme.
“260 hektarë të gjelbër po mirëmbahen vazhdimisht. Rëndësi të dorës së parë jemi duke i kushtuar edhe ujitjes pikë-pikë, aty ku nuk kemi puse e shfrytëzojmë mekanizimin tonë, cisternat për bartjen dhe ujitjen e këtyre. Gjithsej 203 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje janë në vlugun më të madh të punëve dhe pa pushuar jemi duke punuar që të arrihen qëllimet tona që të arrijmë performancë sa më të mirë”, tha Rakovica.
“Hortikultura” pritet të mbjellë 1 milionë e 200 mijë lule në gjithë qytetin e Prishtinës.
Së fundi ka filluar rregullimi i gjelbërimit edhe në një pjesë të rrugës “Muharrem Fejza”.