Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nis mbjellja e 1 milion e 200 mijë luleve në Prishtinë

Dita e Pranverës do të nisë me mbjelljen e një milion e 200 mijë luleve që janë planifikuar për Komunën e Prishtinës. Drejtori i Ndërmarrjes “Hortikultura”, Isak Rakovica, i ftuar  të hënën në emisionin SOT në KTV, ka thënë se "sot do të nisë rikultivimi i të gjitha sipërfaqeve gjelbëruese sipas planifikimit të Drejtorisë së Parqeve".

“Do të fillojmë nga dita e sotit për rikultivimin e të gjitha sipërfaqeve gjelbëruese, sipas planifikimit të Drejtorisë së Parqeve në Komunën e Prishtinës, në të gjitha sipërfaqet ku është planifikuar nga Komuna e Prishtinës, do të fillojmë me mbjelljen e luleve, fidanëve dhe me mirëmbajtjen e tyre. Numri i përgjithshëm i farave të luleve të cilat janë mbjellë dhe të cilat do të jenë të gatshme këto ditë për mbjellje do të jetë 1 milion e 200 mijë lule në tërë qytetin e Prishtinës. Planifikimet për mbjellje janë përgatitur nga Drejtoria e Parqeve në bashkëpunim me Zyrën e Kryetarit të Komunës. Ne do të fillojmë sot mbjelljen në mënyrë simbolike, është Dita e Pranverës, do të fillojmë me shkollat parafillore dhe fillore në bashkësitë lokale dhe në të gjitha parqet që janë prona publike të Komunës së Prishtinës”, ka thënë ai.

Rakovica ka njoftuar se mbjellja e farave të luleve do të nisë nga ora 12:00 në parkun e ri të Dardanisë, ku i pranishëm do të jetë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ai më tej ka treguar se gjatë muajit të parë të mbjelljes së luleve, puna do të përqendrohet në rrugët “Agim Ramadani” dhe “Luan Haradinaj”, e do të vazhdojë me pjesë tjera të qytetit, posaçërisht aty ku nuk është punuar me vite.

“Sa u përket rrugëve, do të fillojmë këtë muaj me ato “Agim Ramadani” e “Luan Haradinaj”, pjesën e Arbërisë dhe pjesë të tjera ku ka institucione shkollore dhe parashkollore, si dhe pjesët në periferi të Prishtinës dhe në oaza brenda qytetit. Nga sot kur po fillojmë me kultivimin e sipërfaqes gjelbëruese. Prishtina do të ketë një numër më të madh të luleve, do të ketë mirëmbajtje tjetër dhe kultivim të sipërfaqeve, sidomos në pjesët ku nuk është punuar me vite”, ka thënë ai.

 

Artikuj të ngjashëm