Arbëri

Kush janë kandidatët për kryetar të Prishtinës?

Është nënkryetar komune dhe po synon që të marrë pozitën e kryetarit.

Kështu, Selim Pacolli nga AKR-ja po i hyn garës për herë të dytë për kryetar të Prishtinës. Puna në Komunë vitet e fundit thotë se është avantazh ngase kundërkanditatët, sipas tij, nuk e njohin qytetin në detaje sikurse ai.

“Asnjëri nga këta kandidatë nuk janë ata që e njohin në detaje qytetarin tonë dhe nevojat e tyre. Dhe, shumica janë nga rrethet e komunave tjera apo nga regjione tjera. Nëse flasim për Daut Haradinajn, ai është një personalitet politik, ushtarak. Të njëjtën e ka Përparim Rama, i cili nuk jeton në Prishtinë dhe tenton të sjellë eksperiencë nga Londra. Kam avantazh nga të tjerët, sepse jam ballafaquar me qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Pacolli.

Përparim Rama u prezentua si kandidat për kryetar të Prishtinës pa i përfunduar punët brenda partisë. Vetëm pas paraqitjes publike, nominimi i tij nga kreu i partisë u votua edhe në Këshillin e LDK-së.

Fillimisht, dega e parë e LDK-së që është në Kodrën e Trimave, propozoi që për kryetar të Prishtinës të kandidojë kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.

Kjo kërkesë u përkrah edhe në disa degë, por vetë Abdixhiku nuk i hyri kësaj gare. Ai vendosi që Prishtinën të tentojë ta kthejë në qeverisje të LDK-së me arkitektin Përparim Rama.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka pranuar se brenda partisë ka perspektiva të ndryshme.

“LDK-ja është një parti e madhe dhe realisht ekzistojnë edhe perspektiva të ndryshme në lidhje me një kandidat, por realisht nuk ka refuzime të mëdha sa të eliminohet tërësisht kandidatura e tij për shkak se Rama gëzon një autoritet të jashtëzakonshëm dhe një profesionalizëm që është kontabil dhe Prishtina ka nevojë për të”, ka thënë Halimi.

Ka qenë ministër i Shëndetësisë, e edhe asamblist në Kuvendin Komunal. Por, emrin e Uran Ismailit ende nuk e ka konfirmuar si kandidat Partia Demokratike e Kosovës.

U.d. i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se kandidati i partisë së tij do ta ndryshojë gjendjen.

“Do të jetë njëri nga figurat më të larta të rëndësishme të PDK-së që garon në Prishtinë. Mund të jetë një njeri që ka gravitet për të ndryshuar vërtet gjendjen në kryeqytet. Mendoj se Shpend Ahmeti ka dështuar në kryeqytet dhe po ashtu pararendësi i tij, Isa Mustafa, kanë dështuar dhe e kanë menaxhuar kryeqytetin sikur të mos kishte kryetar”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka disa vjet që përmendet si kandidat për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, por ai, në një intervistë në KTV, bëri me dije se do të pëlqente ta vazhdonte punën në ministri.

Kishte zëra se për kandidat mund të jetë edhe Liburn Aliu, mirëpo Vetëvendosje ka mohuar një gjë të tillë.

Egzon Azemi nga VV ka thënë se partia ka shumë profile të denja për Prishtinën.

“Në strukturat e qendrës, çdo herë ka qenë propozim për Arben Vitinë, nuk ka pasur propozim as për Liburn Aliun, përveç në media që është përmendur, por nuk ka pasur asgjë konkrete në këtë drejtim. Kjo tregon pasurinë që ka Vetëvendosje, përderisa partitë e tjera detyrohen të importojnë kandidatët nga jashtë, ne kemi shumë profile që mund të jenë të denjë për ta qeverisur Prishtinë”.

Për kryetar të Prishtinës, po garon edhe Daut Haradinaj nga AAK-ja. Ai ka hapur zyrën e tij ku po bën aktivitete të ndryshme, derisa ka qenë i pari që ka shpallur kandidaturën dhe i pari edhe me publikimin e sloganit zgjedhor që ka emrin "E para Prishtina".

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duket se nuk do të garojë sërish ndonëse këtë ende nuk e ka thënë publikisht. Siç ka mësuar KOHA, ai tashmë ka filluar përgatitjet për një fushatë përmbyllëse të qeverisjes së tij në Prishtinë.

Ndryshe, ditë më parë subjektet politike kanë kërkuar që data e zgjedhjeve lokale të jetë 31 tetori i këtij viti.