Luftarake

Rrahja brutale i kushton me përjashtim nga boksi kampionit 16-vjeçar të Evropës

Rrahja brutale i kushton me përjashtim nga boksi kampionit 16-vjeçar të Evropës

Kampioni Evropian i boksit, rumuni Renato Nica 16-vjeçar, e ka rrahur brutalisht kikboksierin Nasim Sava të hënën mbrëma, dhe kjo i ka kushtuar me përjashtim nga sporti i boksit. 

Skandali kishte nisur për shkak të një vajze, siç pretendon babai i viktimës, i cili i ka publikuar pamjet dhe e ka dërguar rastin në polici. 

Nica e godet befasisht kikboksierin, i cili ka pësuar thyerje të eshtërave në fytyrë. 

Nica tani akuzohet për vepër penale. 

“Kemi orar shumë të mirë dhe ishim duke u përgatitur për gara. Djemtë e kanë pushim pasdite nga ora 7 deri në orën 10. I kontrollojmë pasi të mbyllen dritat, por nuk mund t’u rrimë në dhoma gjithë kohën. Ai më vonë ka dalë me një shok me veturë, askush nuk ka ditur asgjë. Dhe ndodhi ajo që ndodhi, një ngjarje që nuk më ka ndodhur kurrë në karrierën time dekadëshe. Ata janë përleshur për një vajzë”, ka deklaruar trajneri i ekipit Olimpik të Rumanisë, Relu Auras, për “GSP”. 

Trajneri ka bërë të ditur se nxënësi i tij ka reaguar pasi është kërcënuar me thikë. 

“Ai nuk do të duhej ta bënte këtë edhe nëse do të kishte të drejtë. E kemi bërë të ditur disa herë se ata duhet ta kontrollojnë veten në jetën private, të mos i përdorin grushtet, jo ta fitojnë drejtësinë me forcën fizike”, ka shtuar Auras. 

Për rastin ka folur edhe babai i Nasim Savas, Bogdani. 

“Djali i cili e godet atë e ka një të dashur, e cila e ka takuar në një festival në Insula. Ajo e ka përcjellë atë prej asaj kohe. Të hënën mbrëma, ajo shkoi te vendi ku rri djali im shpeshherë, e shoqëruar, dhe e kanë nxjerrë jashtë. Ai nuk ia ktheu në të njëjtën mënyrë, ndonëse është kikboksier. Ata ishin disa persona. Trajneri i tij, Mardare, e ka mësuar që të mos përleshet në situata të tilla si kjo. Ai e zuri atë të papërgatitur. Ka mundur të ndodhte diçka më shumë”, ka deklaruar babai i viktimës, Bodan Sava, për “Ziaruldebacau.ro”. 

Vasile Catea, president i Federatës së Boksit të Rumanisë, ka qenë i qartë në reagimin e tij. 

“E kam thirrur Komitetin Disiplinor të hënën për të marrë vendim për këtë çështje. Nga pikëpamja ime, karriera e tij ka përfunduar. Ne nuk rrisim huliganë! E kuptoj se ai është fëmijë me potencial, por nuk ka arsyetim për reagimin e tij agresiv”, ka deklaruar Catea.