Luftarake

Kikboksieri Hyseni, i argjendtë në Evropianin për kadetë e juniorë

Gent Hyseni

Kikboksieri Gent Hyseni është stolisur me medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian për kadetë dhe juniorë, në kategorinë deri 71 kilogramë.

Në Evropianin në Lido di Jesolo të Italisë, Hyseni në finale u mposht nga ukrainasi Danylo Yakovenko.

Lufta ishte shumë e fortë dhe përfundoi me rezultat të ngushtë.

Hyseni, 16-vjeçar, u mposht me rezultatin 2:1.

Në kategorinë e Hysenit ishin gjashtë garues.

Në xhiron e parë, Hyseni ishte i lirë, ndërsa në xhiron e dytë, Hyseni dominoi përballë kikboksierit nga Irlanda e Veriut, Blake Bolger, për të avancuar në finale. Lufta e Hysenit me Bolgerin zgjati vetëm 40 sekonda.

Por në finalen e së shtunës, Hyseni nuk arriti fitoren dhe u rendit i dyti.

Në Evropianin e kadetëve dhe juniorëve, Kosova u përfaqësua edhe nga katër kikboksierë tjerë.

Zan Krasniqi në kategorinë deri 63.5 kilogramë e fitoi luftën e parë 2:1 ndaj hungarezit Krisztian Kantor, por humbi në xhiron e dytë 3:0 nga bullgari Valentin Mitev.

Art Dulaj në kategorinë deri 60 kilogramë pësoi humbje 3:0 nga hungarezi Leopard Darius Kustanczi në xhiron e parë.

Në kategorinë deri 63.5 kilogramë Omar Thaqi u mposht 3:0 nga kikobksieri maqedonas, Andrijano Dimishkovski, po ashtu në xhiron e parë.

Ndërkohë, Taulant Salihaj në kategorinë deri 54 kilogramë në xhiron e parë ishte i lirë, ndërsa në xhiron e dytë dhe luftën e tij të parë humbi 3:0 nga Alex Whyte i Irlandës.

Në këtë Evropian në të gjitha kategoritë, pjesëmarrës ishin 1849 sportistë.