Luftarake

Ish-kampioni në boks pritet të dëbohet nga SHBA-ja, dyshohet për lidhje me kartele të drogës

Julio Cesar Chavez Jr.

Foto: Associated Press

Disa ditë pasi që u përball me YouTuberin, Jake Paul në Kaliforni në një meç në boks profesionist, meksikani Julio Cesar Chavez Jr, është arrestuar të mërkurën nga autoritetet amerikane dhe është në proces të dëbohet, raporton “CNN”. 

Ai është ndaluar nga agjentët e forcave të imigracionit dhe doganës në SHBA me pretendimet se ka lidhje me kartelet e drogës. 

Chavez Jr., ish-kampion bote në kategorinë e mesme, është i biri i legjendës së boksit Julio Cesar Chavez. Ai ishte futur në SHBA me vizë turistike në gusht të vitit 2023 dhe viza i ka skaduar në shkurt të vitit 2024, sipas njoftimit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. 

Departamenti ka thënë se Chavez Jr. ka bërë deklaratë të rrejshme në aplikimin e tij të fundit dhe se kishte një urdhërarrest aktiv në Meksikë nën dyshimin për përfshirje në “krim të organizuar dhe trafikim të armëve, municionit dhe materialeve shpërthyese”. 

Boksieri kishte aplikuar për lejeqëndrim të përhershëm në prill të vitit 2024, duke u mbështetur në martesën e tij me një shtetase amerikane, për të cilën zyrtarët e Departamentit thonë se është e lidhur me kartelin meksikan të drogës Sinaloa, nëpërmjet të marrëdhënies me një nga djemtë e Joaquin “El Chapo” Guzman, ish-lider i kartelit. 

“Ky bashkëpunëtor i kartelit Sinaloa, me një urdhërarrest aktiv për trafikim armësh, municionesh dhe eksplozivësh u arrestua nga ICE. Është tronditëse që administrata e mëparshme e ka etiketuar këtë kriminel të huaj të paligjshëm si kërcënim për sigurinë publike, por zgjodhi të mos i jepte përparësi largimit të tij. E lejoi të largohej e të kthehej në vendin tonë. Nën presidentin Trump askush nuk është mbi ligjin – përfshirë sportistët me renome botërore. Mesazhi ynë për çdo bashkëpunëtor të kartelit në SHBA është i qartë: Do t’ju gjejmë dhe do të përballeni me pasojat”, tha ndihmëssekretarja Tricia McLaughlin. 

Ai ishte lejuar të futej në SHBA më 4 janar. Chavez Jr. boksoi dhe humbi me pikë nga Jake Paul në fundjavë. 

Chavez Jr. 39-vjeçar ka bilanc prej 54 fitoreve, shtatë humbjeve e një barazimi.