Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku, e ka fituar medaljen e artë në Kupën e Federatës Botërore, “Feliks Stamm”, që të premten përfundoi në Varshavë të Polonisë.
Donjeta u shpall kampione në kategorinë deri 60 kilogramë. Në finalen e fortë e mposhti boksieren e Britanisë së Madhe, Elise Glynn.
Raundi i parë ishte i barabartë. Tre gjyqtarë e vlerësuan britaniken fituese, ndërsa dy Donjetën.
Por cilësia ishte në anën e Donjetës dhe ajo këtë e dëshmoi në raundin e dytë, të cilin e fitoi bindshëm. Ndërkohë dominoi plotësisht edhe në raundin e tretë për ta fituar në fund medaljen e artë. Glynn kishte përparësi në gjatësi, por Donjeta ishte superiore sa i takon boksit të ofruar dhe nuk hasi në telashe.
Rezultati ishte 5:0 në të mirë të Donjetës, që kështu vazhdon me suksese në boksin amator. Synimi i madh i Donjeta Sadikut është medalja në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”. Ajo tashmë e ka përvojën e dy Olimpiadave. Por në Tokio e në Paris nuk arriti në zonën e medaljeve. Ka medalje nga kampionatet botërore e evropiane.
Në Varshavë, boksierja më e mirë në vend i kishte tri luftëra. Fitoi fillimisht në çerekfinale ndaj polakes Aleksandra Jankowiak. Në gjysmëfinale e mposhti olimpisten nga Italia, Rebecca Nicoli. Edhe dy fitoret e para Donjeta i arriti me rezultat bindës, 5:0.
Në kategorinë deri 60 kilogramë u paraqitën nëntë boksiere gjithsej.
“Feliks Stamm” është garë e World Boxing, e evidentuar si Kupë Botërore. World Boxing është federata e re e boksit amator, e krijuar me përkrahjen e plotë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Falë krijimit të kësaj federate dhe kalimit të më shumë se 75 federatave nacionale në të, boksi është kthyer në programin olimpik.
Federata e Boksit e Kosovës po ashtu kaloi në World Boxing, duke u larguar kështu nga Asociacioni Ndërkomëbtar i Boksit (IBA), që më parë njihej si AIBA. Në IBA ndikimi rus është shumë i madh, ndërsa kjo organizatë më nuk njihet nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Ende jo të gjitha shtetet nuk kanë kaluar në World Boxing. Kjo bën që në disa gara konkurrenca mos të jetë më e forta. Po ashtu nuk ka momentalisht shumë gara. Në Poloni kishte shumë boksierë, ndërsa luftërat ishin të forta. Donjeta është llogaritur favorite dhe nuk ka lejuar befasi.
Në “Feliks Stamm” garuan edhe vëllezërit Shpëtim e Bashkim Bajoku. Por të dy u ndalën në meçet e para.