Partitë shqiptare në Novobërdë nuk kanë arritur të pajtohen që të emërojnë një kandidat të përbashkët për kryetar për zgjedhjet në këtë komunë.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Abdyl Gashi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajrush Imeri për kryetar të komunës së Novobërdës në zgjedhjet e 17 tetorit, janë përplasur në “60 minuta” të KTV-së lidhur me mosarritjen e një marrëveshjeje të partive shqiptare në këtë komunë për të garuar me një kandidat të vetëm.
Imeri i LDK-së ka deklaruar se janë mbledhur të gjitha partitë dhe në takimin e përbashkët ai ka marrë mbështetjen e AKR-së dhe AAK-së për kandidat, ndërkaq VV-ja ka qenë partia që e ka kundërshtuar figurën e tij.
“Ne kemi tentuar që të bëhemi bashkë, në vitet e kaluara e pamë që duke garuar të ndarë nuk arrijmë asgjë. Nuk arritëm marrëveshje, dy subjekte politike më dhanë mbështetje mua, AKR, AA. U tha që në këtë situatë çfarë e kemi, duke pasur parasysh që kam qenë kryetar në dy mandate, dhe duke shpresuar që unë mund të marrë vota edhe nga komuniteti serb, mos rastësisht po dalim fitues. Në parim e mora mbështetjen edhe nga PDK dhe VV, dhe u dakorduam edhe në rast se fitojmë si kryetar se cilat pozita do t’i takojnë kujt. U dakorduam që nëse arrijmë marrëveshje ta kemi me shkrim. Mirëpo në takimin tjetër kur u ulëm, qëllimi i VV-së ishte se nuk e përkrahim asnjë kandidat që vjen nga subjektet e tjera politike”, ka thënë Imeri.
Ndërkaq, Gashi i VV-së ka thënë se qëllimi i partisë së tij ishte që të mos garonin me një kandidat partiak.
“Isha në gjendje që të tërhiqesha, por ta gjejmë një njeri që i përfaqëson interesat e qytetarëve të Artanës, por të mos jetë nga strukturat e partive politike. Normalisht ne nuk ishim dakord as në takimin e parë. E ngritën këta si çështje që ne e mbështesim Bajrush Ymerin. Ata e mbështetën, mua më sollën në një pozitë të rëndë ku unë e kisha miratimin e kryesisë që ne të nxjerrim një kandidat konsensual, që të ishte një person jopartiak në mënyrë që ta arrijmë një qëllim madhor, por nuk e gjetëm këtë mbështetje, dhe kërkova që prapë të diskutojmë në nivel qendror se a mund ta arrijmë një konsensus të tillë”, është shprehur Gashi.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Imeri i cili ka thënë se VV-ja nuk dëshironte një kandidat për kryetar që i përkiste një partie politike, ndërkohë që sipas tij, kjo parti nuk ka ofruar emër se me kë do të duhej të garonin partitë shqiptare për Novobërdën.
Komuna e Novobërdës ka 33 fshatra dhe mbi 9.000 votues.
Svetislav Ivanoviq, nga Lista Serbe, ka udhëhequr në këtë komunë në 8 vitet e fundit, në dy mandate. Ivanoviq është i dënuar me tri vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare mirëpo Gjykata ia ka kthyer dënimin në gjobë.