Me premtime për zhvillim të mëtejshëm dhe lëvdata për punën e deritanishme e ka vazhduar fushatën kandidati i AAK-së për Gjakovën, Ardian Gjini.
Ai është takuar me banorët e disa fshatrave të Gjakovës dhe u ka premtuar atyre ndriçim.
“Jeta në komunitet është rregullimi i hapësirave publike, diku një minipark kudo që ka pronë të komunës, diku një fushë e basketbollit. E sivjet nisim me punu edhe në ndriçim se kemi kontratë pak më të madh", ka thënë Gjini.
Me premtime për zhvillim të fshatrave e ka vazhduar fushatën edhe kandidati për të parin e Prishtinës, Daut Haradinaj.
Ai banorëve të Mramorit u ka premtuar se këtë vend do ta kthejë në zonë atraktive.
"Janë shumë pak kilometra prej Mramorit në qendër të qytetit, me një investim të vogël dhe simbolik kisha thënë se kjo ish kthy në një prej zonave më atraktive edhe për turizëm edhe për bregtori, pse jo edhe për bujqësi."
Ndërsa kandidati për Rahovecin, i cili po garon për mandatin e tretë, Smajl Latifi, qytetarëve të kësaj komune u ka premtuar qendër grumbullimi të rrushit për vreshtarët.
Programin e tij për katër vjetët e ardhshëm e ka shpalosur edhe kandidati për Vushtrrinë i kësaj komune, Mensur Ademi.
Nëpërmjet tij Ademi u ka premtuar qytetarëve punësim, punë praktike profesionale për nxënësit, mbështetje për gratë në biznes e të tjera.
Fushatën nëpër rrjete sociale gjatë ditës së nëntë e kanë vazhduar edhe kandidatë të tjerë të kësaj partie si: Kastriot Berisha, Bashkim Ramosaj e Arben Halili.