Lokalet 2021

AAK-ja: Zhvillim të turizmit në Istog e stadium të ri në Malishevë

Kandidati i AAK-së për Istogun, Bekë Berisha, u ka premtuar qytetarëve ndërtimin e vendeve turistike, me qëllim hapjen e vende të reja të punës. E kandidati për Malishevën, Kastriot Berisha, qytetarëve u ka premtuar bashkëpunim dhe investime nga qyteti Konya i Turqisë

Fushatën për zgjedhjet e 17 tetorit, kandidati i AAK-së për Istogun, Bekë Berisha, e ka vazhduar me premtimin për zhvillim të turizmit. Berisha u ka premtuar qytetarëve se tek burimi i Istogut do të ndërtojë vende atraktive me qëllim të rritjes së vendeve të punës.

“Këtu do të krijojmë shtigjet e ngjitjes në borë, do të ndërtojmë zip-line dhe urat e himalajeve. Zhvillimin e turizmit malor dhe sportiv me fokus për krijimin e vendeve të reja të punës”, ka thënë ai.

Ndërsa, kandidati për Malishevën, Kastriot Berisha, ka premtuar bashkëpunim me qytetin e Konyas në Turqi, që sipas tij, është i gatshme të investojë në Kosovë. Ai në bazë të këtij bashkëpunimi ka premtuar ndërtimin e një stadiumi në Malishevë dhe investime të tjera.

“Konya e Turqisë, qyteti më i fuqishëm dhe konkurrent i Evropës për prodhimtari dhe tregti, është e gatshme të investojë në Malishevë. Me mua kryetar, Malisheva do të jetë qendra kryesore e prodhimtarisë dhe tregtisë në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Berisha në facebook.

E kandidati për Lipjanin, Bashkim Budakova, ka kërkuar besimin e qytetarëve dhe u ka premtuar zgjidhje të problemeve.

“Kostot, problemet dhe vendimet e sotme nuk duhet të jenë barrë e të transferohen te gjeneratat e ardhshme. Përmbushja e obligimeve ligjore është edhe strategjia e veprimit tonë, andaj e di shumë mirë që besimin e keni të shenjtë dhe këtë besim të shenjtë do ta ruaj si sytë e ballit”, ka thënë ai.

Kandidati për Podujevën, Besnik Tahiri, në një vizitë në fshatin Ballofc, ka premtuar financim për bujqësi.

“Në Ballofc, në vizitë tek Arsimi, fermer i zonës, që merret me blegtori. Aty diskutuam për Programin Zhvillimor Podujeva 2025, më saktësisht politikat dhe financimin për bujqësi dhe zhvillim rural. Gjendja aktuale me politika të paqarta, me financime të copëzuara, më tepër i ngjajnë mirëmbajtjes së varfërisë, sesa zhvillimit të qëndrueshëm”, ka shkruar Tahiri në facebook.

Ai ka shtuar se krijimi i fondeve kreditore dhe subvencionimi i bujqve është një ndër prioritetet në planprogramin e tij.

Kandidati për Gjilanin, Nazim Gagica, ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, për t’u informuar nga afër me problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky sektor.

“Programi ynë qeverisës për katër vitet e ardhshme ka prioritet krijimin e standardeve të larta në menaxhimin shëndetësor në të gjitha institucionet”, ka thënë ai.