Lokalet 2021

LDK-ja e VV-ja përplasen pse shqiptarët s’u bënë bashkë në Novobërdë

Partitë shqiptare në Novobërdë nuk kanë arritur të pajtohen që të emërojnë një kandidat të përbashkët për kryetar për zgjedhjet në këtë komunë.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Abdyl Gashi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajrush Imeri për kryetar të komunës së Novobërdës në zgjedhjet e 17 tetorit, janë përplasur në “60 minuta” të KTV-së lidhur me mosarritjen e një marrëveshjeje të partive shqiptare në këtë komunë për të garuar me një kandidat të vetëm.

Imeri i LDK-së ka deklaruar se janë mbledhur të gjitha partitë dhe në takimin e përbashkët ai ka marrë mbështetjen e AKR-së dhe AAK-së për kandidat, ndërkaq VV-ja ka qenë partia që e ka kundërshtuar figurën e tij.

“Ne kemi tentuar që të bëhemi bashkë, në vitet e kaluara e pamë që duke garuar të ndarë nuk arrijmë asgjë. Nuk arritëm marrëveshje, dy subjekte politike më dhanë mbështetje mua, AKR, AA. U tha që në këtë situatë çfarë e kemi, duke pasur parasysh që kam qenë kryetar në dy mandate, dhe duke shpresuar që unë mund të marrë vota edhe nga komuniteti serb, mos rastësisht po dalim fitues. Në parim e mora mbështetjen edhe nga PDK dhe VV, dhe u dakorduam edhe në rast se fitojmë si kryetar se cilat pozita do t’i takojnë kujt. U dakorduam që nëse arrijmë marrëveshje ta kemi me shkrim. Mirëpo në takimin tjetër kur u ulëm, qëllimi i VV-së ishte se nuk e përkrahim asnjë kandidat që vjen nga subjektet e tjera politike”, ka thënë Imeri.

Ndërkaq, Gashi i VV-së ka thënë se qëllimi i partisë së tij ishte që të mos garonin me një kandidat partiak.

“Isha në gjendje që të tërhiqesha, por ta gjejmë një njeri që i përfaqëson interesat e qytetarëve të Artanës, por të mos jetë nga strukturat e partive politike. Normalisht ne nuk ishim dakord as në takimin e parë. E ngritën këta si çështje që ne e mbështesim Bajrush Ymerin. Ata e mbështetën, mua më sollën në një pozitë të rëndë ku unë e kisha miratimin e kryesisë që ne të nxjerrim një kandidat konsensual, që të ishte një person jopartiak në mënyrë që ta arrijmë një qëllim madhor, por nuk e gjetëm këtë mbështetje, dhe kërkova që prapë të diskutojmë në nivel qendror se a mund ta arrijmë një konsensus të tillë”, është shprehur Gashi.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Imeri i cili ka thënë se VV-ja nuk dëshironte një kandidat për kryetar që i përkiste një partie politike, ndërkohë që sipas tij, kjo parti nuk ka ofruar emër se me kë do të duhej të garonin partitë shqiptare për Novobërdën.

Komuna e Novobërdës ka 33 fshatra dhe mbi 9.000 votues.

Svetislav Ivanoviq, nga Lista Serbe, ka udhëhequr në këtë komunë në 8 vitet e fundit, në dy mandate. Ivanoviq është i dënuar me tri vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare mirëpo Gjykata ia ka kthyer dënimin në gjobë.