Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Haradinaj premton teleferik në Lagjen Arbëria

Ndërtim të klinikave, shtim të vendeve të punës dhe transparencë e llogaridhënie para qytetarëve, kanë premtuar disa nga kandidatët e AAK-së në fushatën për zgjedhjet lokale. Daut Haradinaj, kandidat për Prishtinën, ka premtuar ndërtimin e një teleferiku. Në aktivitetin e kësaj partie në Pejë nuk janë respektuar masat anti-COVID

Ndërtim të teleferikut në lagjen “Arbëria” ka premtuar kandidati i AAK-së për Prishtinën, Daut Haradinaj. Ai në Facebook ka shpërndarë fotografi të planit për këtë pjesë.

“Lagjja ‘Arbëria’ do të kthehet në njërën nga zonat më atraktive të kryeqytetit me një projekt publiko-privat. Ndërtimi i teleferikut tek shkallët e Arbërisë do t'u lehtësojë banorëve lidhje më të shpejtë me qendër”, ka shkruar ai.

Haradinaj gjithashtu ka premtuar përfundim të ndërtimit të Kompleksit Memorial të Marecit.

“Ne jemi zotu dhe do të jemi të kujdesshëm me e vlerësu dhe me e respektu këtë vlerë të madhe kombëtare. Shpresoj që kjo pamje nuk është ajo që duhet me ua ofru shumë qytetarëve, por në të ardhmen kur të jemi këtu prezent, këto varreza dhe ky kompleks të jetë i përfunduar”, ka thënë ai.

Me 15 zotime e ka vazhduar fushatën kandidati për Malishevën, Kastriot Berisha. Ai ka publikuar programin e tij të cilin e ka quajtur “Për Malishevën që duam”.

Me këtë program ai ka premtuar rregullimin e trafikut urban për Malishevën, gjithashtu ka premtuar transparencë dhe llogaridhënie.

“Programi ‘Për Malishevën që duam’ është hartuar për të gjithë qytetarët pa dallim politik, që përfshin barazinë dhe meritokracinë, transparencën e llogaridhënien, investimet strategjike, investimet në sport, kategoritë e dala nga lufta, trafikun urban me plan për gjithë Malishevën e shumë shtylla të tjera që e bëjnë këtë program të kompletuar dhe me ide të qarta e kreative si asnjëherë më parë në Komunën e Malishevës”, ka shkruar Berisha në Facebook.

E kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka vizituar Pejën ku së bashku me kandidatin Rrustem Berisha kanë vazhduar fushatën. Ai ka premtuar se bashkë me kandidatin e tyre do të sjellin suksese të reja për Pejën.

“Jam i bindur se më 17 tetor me numrin 121 do të fillojmë sukseset e reja për Pejën dhe për Kosovën, nën udhëheqjen e kryetarit tonë, gjeneralit Berisha”, ka thënë Haradinaj.

Berisha gjatë vizitës në fshatin Jabllanicë të Madhe dhe në Radac ka shkelur masat anti-COVID.

Brenda hapësirës së mbyllur janë parë mbi 20 persona e ku disa prej tyre kanë qenë edhe pa maska.

Ndërsa kandidati për Rahovecin, Smajl Latifi, ka thënë se programi i tij burim të vetëm ka terrenin.

“Programi i ekipit tonë për Rahovecin është një program gjithëpërfshirës që bazohet në tri shtylla themelore: nevojat dhe kërkesat e qytetarëve; transparenca; dhe llogaridhënia para qytetarëve”, ka shkruar Latifi në Facebook.

Fushatën digjitale e kanë vazhduar edhe kandidatë të tjerë.

Nazim Gagica, kandidat për Gjilanin, ka vizituar një qendër tregtare dhe ka premtuar përkrahje ndaj bizneseve, duke e cilësuar si burim kryesor të gjenerimit të vendeve të reja të punës.