Lifestyle

Vullnetarët do të infektohen me koronavirus për të gjetur vaksinën

Foto: Reuters

Shkencëtarët që po garojnë për të gjetur vaksinën kundër koronavirusit do t’i infektojnë disa vullnetarë me virus – për 3500 funte.

Deri 24 njerëz do të paguhen për t’u infektuar me virusin në një laborator në Londër, si pjesë e një eksperimenti.

Pjesëmarrësit do të monitorohen nga doktorët teksa do të jenë në karantinë për 14 ditë.

Ekspertët shpresojnë se kjo do t’u ndihmojë të gjejnë një vaksinë që mund të përdoret në dimrin e ardhshëm për të mbrojtur të moshuarit dhe ata me sistem të dobët imunitar.

Testimi do të nisë sapo që kompania “Hvivo” që mban karantinën, të sigurojë leje nga Agjencia Britanike për Mjekësi e Kujdes Shëndetësor. Kompania ka thënë në një postim në uebfaqen e vet se në dhoma, të infektuarit do të kenë hapësirën për relaks, televizor, Wi-Fi e PlayStation 3.

Shkencëtarët do t’i infektojnë pjesëmarrësit me dy lloje të koronaviruseve, që shkaktojnë problemet shëndetësore.

Profesori John Oxford, ekspert në Universitetin “Queen Mary” në Londër, ka thënë se vullnetarët do të kenë kollë e të ftohtë.

Pjesëmarrësve gjatë gjithë kohës së testimeve nuk do t’u lejohet të kenë kontakt fizik me njerëz të tjerë. I vetmi kontakt do të jetë me mjekët, që do të hyjnë në dhomat e të infektuarve me maska e veshje mbrojtëse.

Testi është pjesë e përpjekjes botërore 2 miliardë dollarëshe për të luftuar koronavirusin, që tashmë ka prekur më shumë se 110 mijë njerëz në botë.