Lifestyle

Virusi i transformuar, por shumë i dobët

Verën e kaluar- kur vaksinimet u bënë të disponueshme për herë të parë në SHBA – u pasua rritja e Deltës dhe më pas ardhja e Omicronit, i cili ka vrarë 2600 amerikanë në ditë në kulmin e vet gjatë shkurtit të kaluar.

Koronavirusi, që po ndryshon me shpejtësi, ka nisur verën në SHBA me shumë infeksione, por relativisht pak vdekje në krahasim me mishërimet e tij të mëparshme. COVID-19 ende po vret qindra amerikanë çdo ditë, por nuk është aq i rrezikshëm sa ishte vjeshtën dhe dimrin e kaluar.

“Do të jetë një verë e mirë dhe ne e meritojmë këtë pushim”, ka thënë Ali Mokdad, profesor i shkencave të matjeve shëndetësore në Universitetin e Washingtonit në Seattle.

Me më shumë amerikanë të mbrojtur nga sëmundjet e rënda përmes vaksinimit dhe infeksionit, COVID-19 është shndërruar - të paktën tani për tani - në një shqetësim të pakëndshëm dhe të papërshtatshëm për shumë njerëz.

“Duket çdo gjë më e sigurt tani”, ka theksuar dr. Dan Kaul, specialist i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Miçiganit në Ann Arbor. “Për herë të parë që mbaj mend, pothuajse që kur filloi, nuk kemi asnjë pacient me COVID-19 në kujdesin intensiv”.

Teksa vendi shënon katër korrikun, numri mesatar i vdekjeve ditore nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara është rreth 360. Vitin e kaluar, gjatë një qetësie të ngjashme verore, ishte rreth 228 në fillim të korrikut. Ky mbetet pragu më i ulët i vdekjeve ditore në SHBA që nga marsi 2020, kur virusi e filloi për herë të parë përhapjen në SHBA.

Por kishte shumë më pak raste të raportuara në këtë kohë vitin e kaluar – më pak se 20 mijë në ditë. Tani, është rreth 109 mijë - dhe ka të ngjarë të ketë nën-numërim pasi testet në shtëpi nuk raportohen në mënyrë rutinore.

Sot, në vitin e tretë të pandemisë, është e lehtë të ndihesh i hutuar nga tabloja e përzier: Infeksionet e përsëritura janë gjithnjë e më të mundshme dhe një pjesë e konsiderueshme e të infektuarve do të përballen me simptomat e zgjatura të COVID-19. Megjithatë, rreziku i madh i vdekjes është zvogëluar për shumë njerëz.

“E kjo sepse tani jemi në një pikë që sistemi imunitar i të gjithëve ka parë ose virusin ose vaksinën dy ose tre herë deri tani”, ka thënë dr. David Dowdy, epidemiolog i sëmundjeve infektive në Shkollën e Shëndetit Publik, Johns Hopkins Bloomberg. “Me kalimin e kohës, trupi mëson të mos reagojë shumë kur e sheh këtë virus”.

Ajo çka ne po kuptojmë së fundmi është se njerëzit po sëmuren gjithnjë e më pak”, ka bërë të ditur Dowdy. Rreth 8 nga 10 persona në SHBA janë infektuar të paktën një herë.

Sipas të dhënave të analizuara nga studiuesja e industrisë shëndetësore të Universitetit Shtetëror të Arizonës, Mara Aspinall, shkalla e vdekjeve për COVID-10 ka qenë në lëvizje, mirëpo kohët e fundit ka rënë brenda intervalit të një sezoni mesatar gripi.

Image

Në fillim, disa njerëz kanë thënë se koronavirusi nuk ishte më vdekjeprurës se gripi, e “për një periudhë të gjatë kohore kjo nuk ishte e vërtetë”, ka thënë Aspinall. Në atë kohë, njerëzit nuk kishin imunitet. Trajtimet ishin eksperimentale. Vaksinat nuk ekzistonin.

Tash, imuniteti i krijuar ka ulur shkallën e vdekjeve në mënyrë solide në intervalin e një sezoni tipik gripi. Gjatë dekadës së kaluar, shkalla e vdekjeve nga gripi ishte rreth 5% deri në 13% e atyre të shtruar në spital.

Dallime të mëdha e ndajnë gripin nga COVID- 19: Sjellja e koronavirusit vazhdon t’i befasojë ekspertët e shëndetit dhe është ende e paqartë nëse do të vendoset model sezonal i ngjashëm me gripin.

Verën e kaluar- kur vaksinimet u bënë të disponueshme për herë të parë në SHBA – u pasua rritja e Deltës dhe më pas ardhja e Omicronit, i cili ka vrarë 2600 amerikanë në ditë në kulmin e vet gjatë shkurtit të kaluar.

Ekspertët bien dakord se një variant i ri mund të lindë i aftë për t’i shpëtuar imunitetit të krijuar të popullatës. Dhe nëntipet e Omicronit me përhapje të shpejtë BA.4 dhe BA.5 mund të kontribuojnë gjithashtu në një ndryshim në numrin e vdekjeve.

“Menduam se e kuptonim atë derisa u shfaqën këto nënvariante të reja”, ka shpjeguar dr. Peter Hotez, specialist i sëmundjeve infektive në Kolegjin e Mjekësisë Baylor në Teksas.

“Do të ishte me vend të supozohej se një variant i ri do të vijë dhe do ta godasë vendin më vonë këtë verë”.

“Dhe pastaj, edhe një tjetër valë e vonë vjeshtë-dimër”, ka shtuar Hotez.

Në javët e ardhshme, vdekjet mund të rriten në shumë shtete, mirëpo SHBA-ja në tërësi ka të ngjarë të shohë vdekjet të zvogëlohen pak, ka vënë në dukje Nicholas Reich, i cili grumbullon parashikimet e koronavirusit për Qendrën e Parashikimit COVID-19 në bashkëpunim me Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Parandalimit.

“Ne kemi parë që shtrimet në spital të COVID të rriten në rreth 5 mijë pranime të reja çdo ditë nga pak më shumë se 1 mijë në fillim të prillit. Por vdekjet për shkak të COVID-it janë rritur pak gjatë së njëjtës periudhë kohore”, bëri të ditur Reich, profesor i biostatistikës në Universitetin e Massachusetts Amherst.

Njerëzit e pavaksinuar kanë një rrezik gjashtë herë më të lartë për të vdekur nga COVID-19 krahasuar me njerëzit me të paktën një seri primare të vaksinave, vlerësoi CDC-ja bazuar në të dhënat e disponueshme nga prilli.

Këtë verë, merrni parasysh ndjeshmërinë tuaj dhe të atyre përreth jush, veçanërisht në tubime të mëdha, pasi virusi po përhapet tepër shpejt, ka thënë Dowdy.

“Ka ende njerëz që janë shumë të rrezikuar”, bëri të ditur ai.