Sipas një studimi katërvjeçar të zhvilluar në Kaliforni, i cili u publikua të enjten në revistën mBio, rreth 18 për qind e mbi 2,300 rasteve të infeksioneve të traktit urinar (UTI) ishin të lidhura me bakterin E. coli që gjendet në mish të blerë në dyqanet ushqimore të të njëjtës zonë, ka raportuar The Independent.
Studimi zbuloi se mishi i pulës dhe i qurës ishin më shpesh të ndotur me E. coli, pasuar nga mishi i derrit dhe i viçit.
Infeksionet e traktit urinar janë shumë të zakonshme dhe ndodhin kur bakteret hyjnë në trakt urinar dhe infektojnë rrugët urinare. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), këto infeksione prekin më shpesh gratë dhe të moshuarit.
“Infeksionet urinare prej kohësh janë parë si çështje personale e shëndetit, por zbulimet tona tregojnë se ato janë gjithashtu një problem i sigurisë ushqimore”, ka thënë profesori Lance B. Price, autor kryesor i studimit nga Universiteti George Washington.
Ai ka shtuar se kjo hap rrugë të reja për parandalim, veçanërisht për komunitetet më të ndjeshme që mbajnë barrën më të madhe të këtyre infeksioneve.
Studimi gjithashtu ka zbuluar se njerëzit që jetojnë në zona me të ardhura të ulëta kishin 60 për qind rrezik më të lartë për të marrë infeksione urinare të shkaktuara nga ushqimi, krahasuar me ata që jetojnë në lagje më të pasura.
Sipas autorëve, kjo lidhje mund të shpjegohet me disa faktorë, si mungesa e rregullave të forta për sigurinë ushqimore, kushtet e dobëta në pikat e shitjes dhe mungesa e higjienës gjatë përgatitjes së ushqimit.
Price ka theksuar se këto rezultate tregojnë nevojën për më shumë investime në studime mbi faktorët socialë që ndikojnë në shëndet.
“Rreziku për t’u infektuar nuk duhet të varet nga kodi yt postar”, ka thënë ai.
Deri sa të vendosen masa më të rrepta nga prodhuesit e mishit dhe institucionet rregullatore, studiuesit këshillojnë konsumatorët të jenë të kujdesshëm me mishin e papërpunuar.
Ata kanë theksuar se larja e duarve, shmangia e ndotjes dhe gatimi i mirë i mishit janë hapa thelbësorë për të reduktuar rrezikun e infeksioneve.