Lifestyle

Ushqimet e shumëpërpunuara lidhen me shenjat e hershme të Parkinsonit

Ushqimet e shumëpërpunuara

Foto: Associated Press

Një studim i ri ka shtuar një tjetër paralajmërim për ata që konsumojnë ushqime të shumëpërpunuara. 

Ato mund të lidhen me shenjat e para të sëmundjes së Parkinsonit, ka raportuar The New York Times.

Studimi, i publikuar në revistën Neurology, ka analizuar të dhënat e mbi 43,000 profesionistëve të shëndetit në SHBA gjatë disa dekadave dhe ka zbuluar se ata që konsumonin më shumë ushqime të shumëpërpunuara kishin rreth 2.5 herë më shumë gjasa të shfaqnin të paktën tri simptoma të hershme të Parkinsonit, si kapsllëku, çrregullimet me gjumin, humbjen e nuhatjes, depresionin dhe përgjumja gjatë ditës.

Çfarë janë ushqimet e shumëpërpunuara?

Ato që përmbajnë përbërës që nuk përdoren zakonisht në kuzhinën e shtëpisë, si pijet e gazuara, mishrat e përpunuar, biskotat e shumta, që janë të paketuara e të gatshme për t'u ngrënë, ëmbëlsirat industriale dhe pijet e frutave, të cilat kanë shumë ëmbëltues të shtuar. Këto përbëjnë më shumë se gjysmën e kalorive që konsumojnë të rriturit në SHBA.

Megjithëse studimi nuk provon se këto ushqime e shkaktojnë Parkinsonin, ai tregon një lidhje të fortë që sipas ekspertëve duhet marrë seriozisht.

“Ky është vetëm fillimi i kuptimit të rolit të ushqimit në shëndetin e trurit”, ka thënë neurologia Silke Appel Cresswell nga Universiteti i Kolumbisë Britanike.

Si mund ta dëmtojnë trurin këto ushqime?

Sipas shkencëtarëve, aditivët apo shtesat ushqimore dhe kimikatet në paketim mund të shkaktojnë inflamacion, dëmtim të qelizave apo çrregullime në mikrobiomën e zorrëve, që për pasojë mund të ndikojnë negativisht në qelizat e trurit.

Ekspertët theksojnë rëndësinë e ushqimeve të pasura me fibra, antioksidantë dhe përbërës anti-inflamatorë, si frutat, perimet dhe bishtajoret, që janë përbërës thelbësor të dietës mesdhetare, e cila është e lidhur me rrezik më të ulët të Parkinsonit dhe sëmundjeve të tjera.

Çfarë mund të bëhet tani?

Sipas studiuesve, nevojiten prova klinike me pacientë që shfaqin shenja të hershme të Parkinsonit për të parë nëse ndryshimi i dietës mund të ngadalësojë ose parandalojë përparimin e sëmundjes.

Por sipas ekspertes së ushqimit Puja Agarwal mesazhi është i qartë.

“Ushqimi më i mirë nuk i ndihmon vetëm qelizat e trurit, ai ndihmon zemrën dhe gjithë trupin”, ka thënë ajo.