Lifestyle

Ushqime që duhen shmangur nëse keni diabet

frutat e thata

Frutat e thata

Menaxhimi i nivelit të lartë të sheqerit në gjak është thelbësor për personat me diabet dhe ndonjëherë edhe disa ushqime të shëndetshme mund të ndikojnë negativisht, ka shkruar My London News.

Diabeti i Tipit 2 është forma më e zakonshme dhe shpesh lidhet me mbipeshën, mungesën e aktivitetit fizik apo faktorët gjenetikë. Sipas institucioneve të shëndetësisë në Britani, rreth 1 në 10 persona mbi 40 vjeç atje vuajnë nga kjo gjendje.

Nëse nuk menaxhohet siç duhet, diabeti mund të çojë në komplikime serioze si sulmi në tru, sëmundjet e zemrës e dëmtimet e organeve

Për këtë arsye, njohja e ushqimeve që rrisin menjëherë sheqerin në gjak është jetike. Ja disa prej tyre që duhen shmangur ose konsumuar me shumë kujdes:

1. Rrushi

Edhe pse i pasur me antioksidantë, një kokërr rrushi përmban rreth 1 gram karbohidrate. Sasia mund të duket e vogël, por nëse hani një grusht, karbohidratet dhe sheqeri shtohen shpejt.
Mjekët kanë këshilluar që ta konsumoni në sasi të vogla dhe ta krahasoni me burime të tjera frutash që kanë më pak ndikim në glukozë.

2. Supat e gatshme

Shumë lloje të supave të gatshme kanë karbohidrate të rafinuara dhe shumë natrium, që mund të ndikojnë negativisht në sheqerin në gjak dhe tensionin e lartë.

Mjekët këshillojnë që këto supa të zëvendësohen me supë me perime të freskëta dhe makarona integrale.

3. Patatet

Të ziera apo të skuqura, patatet kanë indeks të lartë glikemik. Kjo do të thotë se përthithen shpejt dhe rrisin nivelin e sheqerit në gjak.

Mjekët këshillojnë që ato të zëvendësohen me patate të ëmbla, të cilat e kanë më të ulët indeksin glikemik dhe përmbajnë më shumë fibra.

4. Sushi

Ndonëse përmban peshk të shëndetshëm, orizi i bardhë në sushi është shumë i përpunuar dhe rrit menjëherë nivelin e sheqerit në gjak.

Mjekët këshillojnë që të konsumoni sasi të vogla ose provoni sushi me oriz integral.

5. Frutat e thata

Vetëm një lugë gjelle me rrush të thatë ka rreth 20 gramë karbohidrate dhe sheqer total. Përqendrimi i sheqerit rritet shumë pas tharjes.

Mjekët këshillojnë që ta zëvendësoni me fruta të freskëta si mollë apo dardhë në copa të vogla.

6. Lëngjet e frutave

Edhe pa sheqer të shtuar, një gotë me lëng portokalli mund të përmbajë aq sheqer sa një pije e gazuar. Mjekët këshillojnë  që të zëvendësohen me fruta të freskëta ose ujë me limon dhe mente për freski natyrale.

7. Drithërat e përpunuara të mëngjesit (cereal)

Shumë marka të drithërave të përpunuara kanë sheqer të fshehur. Ato treten shpejt dhe rrisin sheqerin në gjak menjëherë.

Mjekët këshillojnë që zgjidhja më e mirë është konsumimi i tërshërës së papërpunuar ose drithërave pa sheqer, të kombinuara me fara chia dhe fruta mali.