Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Testi i ri i gjakut parashikon dyfish më saktë rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru

Shkencëtaret kanë zbuluar një test gjaku që mund të përcaktojë nëse një person është i rrezikuar nga një sulm në zemër, goditja në tru apo edhe vdekja, brenda katër viteve të ardhshme.

Testi i cili mbështetet në matjet e proteinave në gjak, ka afërsisht dyfishin e saktësisë së rezultateve ekzistuese të rrezikut. Ai mund t'ua mundësojë mjekëve të përcaktojnë nëse medikamentet ekzistuese të pacientëve po funksionojnë, ose nëse ata kanë nevojë për barna shtesë për të zvogëluar rrezikun e tyre, raporton The Guardian të mërkurën.

“Mendoj se ky është kufiri i ri i mjekësisë së personalizuar, për t'iu përgjigjur pyetjes, a ka nevojë ky person për trajtim të zgjeruar? Dhe kur ke trajtuar dikë, a ka funksionuar në të vërtetë?”, ka thënë mjeku Stephen Williams nga Kolorado, i cili është udhëheqës i kërkimit.

Sipas tij, testi mund të përdoret gjithashtu për të përshpejtuar zhvillimin e barnave të reja kardiovaskulare.

Testi tashmë po përdoret në katër sisteme të kujdesit shëndetësor brenda SHBA-së, dhe Williams shpreson se mund të prezantohet në Mbretërinë e Bashkuar në të ardhmen e afërt.

“Ndërsa testet gjenetike mund të japin një ide për rrezikun e dikujt për sëmundje të caktuara, analiza e proteinave mund të sigurojë një pamje më të saktë të asaj që organet, indet dhe qelizat e dikujt po bëjnë në çdo moment të caktuar kohor”, ka shtuar Williams.

Edhe Analiza e gjakut mund të parashikojë rrezikun për Alzheimer deri në 10 vjet përpara Lifestyle Analiza e gjakut mund të parashikojë rrezikun për Alzheimer deri në 10 vjet përpara

Williams dhe kolegët e tij analizuan 5,000 proteina në mostrat e plazmës së gjakut të 22,849 njerëzve.

Ata zbuluan se modeli i tyre ishte afërsisht dy herë më i mirë se rezultatet ekzistuese të rrezikut, të cilat përdorin moshën, gjininë, racën, historinë mjekësore, kolesterolin dhe presionin e gjakut për të vlerësuar gjasat e tyre për të pasur një problem kardiovaskular.

Rezultatet u publikuan në Science Translational Medicine.