Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Studiuesit në Tel Aviv kanë krijuar sistem të ri për luftën kundër kancerit

Sistemi i ri kundër kancerit

Studiuesit e Universitetit në Tel Aviv kanë zhvilluar një platformë të re që mundëson dërgimin e dy ilaçeve kundër kancerit në të njëjtën kohë te tumoret specifike, duke rritur efektivitetin e trajtimit dhe duke zvogëluar efektet anësore.

The Jerusalem Post ka raportuar se studimi që është publikuar në revistën “Science Advances”, u udhëhoq nga profesori Ronit Satchi-Fainaro dhe studenti i doktoratës Shani Koshrovski-Michael nga Departamenti i Fiziologjisë dhe Farmakologjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Tel Avivit.
Ata u bashkuan me profesorë të tjerë nga Universiteti i Tel Avivit dhe hulumtues nga Instituti Izraelit i Hulumtimeve Biologjike, Italia, Portugalia dhe Holanda.

Metoda e re për dërgimin e ilaçeve

“Trajtimet aktuale të kancerit shpesh përfshijnë kombinime barnash. Megjithatë, për shkak të ndryshimeve në vetitë e barnave, si norma e shkatërrimit dhe kohëzgjatja e qarkullimit, barnat nuk arrijnë gjithmonë te tumori në të njëjtën kohë. Kjo do të thotë që efektet e tyre të kombinuara nuk realizohen plotësisht. Metoda jonë e re siguron që barnat të dërgohen së bashku, duke maksimizuar ndikimin e tyre terapeutik dhe minimizuar toksicitetin”, ka shpjeguar Satchi-Fainaro në një njoftim për shtyp.

Hulumtuesit zhvilluan nano-copëza që shpërbëhen në ujë dhe dioksid karboni brenda një muaji dhe përdorën këto nano-copëza për të mbështjellë dy barna të ndryshme kundër kancerit.
Këto nano-copëza udhëhiqen drejt tumoreve duke synuar P-selektin, një proteinë që gjendet në qelizat kancerogjene si dhe në enët e reja të gjakut që krijohen nga këto qeliza për t’i furnizuar ato me ushqyes dhe oksigjen.

Edhe Barnat për humbje peshe mund të kenë rol edhe në luftën kundër kancerit Lifestyle Barnat për humbje peshe mund të kenë rol edhe në luftën kundër kancerit

Kur arrijnë te tumori, nano-copëzat dërgojnë pengues, (substanca që përdoren për të penguar ciklin e ndarjes së qelizave), të miratuar nga FDA-ja që përdoren për trajtimin e kancerit të lëkurës (BRAF dhe MEK) ose pengues për zhvillim të kancerit të gjirit (PARP dhe PD-L1).

Rezultatet e testimeve

Testet në modelet e qelizave të kancerit 3D dhe modelet te kafshët kanë dhënë rezultate premtuese.

Tumoret u tkurrën ndjeshëm, duke shtyrë kohën deri në përparimin e sëmundjes 2.5 herë më shumë krahasuar me trajtimet standarde.

Trajtimet me nano-copëza e kanë zgjatur jetën e minjve dy herë më shumë se ata që morën barnat aktuale dhe tri herë më shumë se ata që nuk morën trajtim.

Nano-copëzat treguan rezultat edhe në trajtimin e disa llojeve të kancerit në metastazë në tru, pa dëmtuar indet e shëndetshme të trurit.

Edhe Terapia e re që mund të ndihmojë kundër një prej kancereve më të vështira për t’u trajtuar Lifestyle Terapia e re që mund të ndihmojë kundër një prej kancereve më të vështira për t’u trajtuar

“Gjetëm se kombinimet e barnave të dërguara në këtë mënyrë e përmirësuan ndjeshëm efektin terapeutik në kanceret e lëkurës me mutacione BRAF dhe kanceret e gjirit me mutacione BRCA dhe metastazat e kancerit në tru” ka thënë Satchi-Fainaro në njoftimin për shtyp.

Ai gjithashtu ka shpjeguar se kjo platformë e re mund të përshtatet më tej për trajtimin e kancereve të tjera, si glioblastoma dhe kanceri i pankreasit, duke hapur mundësi për avancimin e terapive kundër kancerit.