Lifestyle

Studimi: “Mbreti i helmeve” po grumbullohet në fushat e orizit në mbarë botën

Fushet e orizit

Fushet e orizit

Orizi është ushqim bazë për miliarda njerëz. Ai rritet mirë në fusha të ngrohta dhe të mbuluara me ujë, por pikërisht këto kushte e bëjnë më të lehtë që arseniku, i njohur si “mbreti i helmeve”, të përthithet nga bimët dhe të përfundojë në kokrrat e orizit.

Një studim i ri, që u botua në revistën The Lancet Planetary Health, tregon se me ngrohjen e planetit dhe rritjen e dyoksidit te karbonit, fushat me ujë do të humbin oksigjenin më shpesh dhe për periudha më të gjata. Ky ndryshim kimik çliron arsenikun nga toka dhe rrënjët e orizit e përthithin më shumë, ka raportuar Earth.com

Lidhja mes klimës, orizit dhe arsenikut

Studiues nga Columbia University në SHBA, bashkë me kolegë në Kinë dhe Amerikë, kanë zhvilluar prova në terren për rreth një dekadë. Rezultatet tregojnë se deri në mesin e këtij shekulli, me rritjen e temperaturës mbi 2°C dhe nivele më të larta të dyoksidit të karbonit, orizi do të përthithë shumë më tepër arsenik.

“Rezultatet tona sugjerojnë se kjo rritje e arsenikut mund të çojë ndjeshëm në shtimin e sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe problemeve të tjera shëndetësore”, ka shpjeguar doktori Lewis Ziska nga Columbia University.

Studimi paralajmëron gjithashtu për 44 për qind rritje të rrezikut për kancer gjatë jetës, kryesisht kancer të mushkërive dhe fshikëzës urinare. Vetëm në Kinë, kjo mund të nënkuptojë 19.3 milionë raste shtesë të kancerit të lidhura me orizin.

Pse orizi përmban arsenik?

Arseniku gjendet natyrshëm në shumë toka dhe ujëra. Kur fusha e orizit qëndron gjatë nën ujë, oksigjeni pakësohet dhe mineralet e hekurit që e mbajnë arsenikun të lidhur shpërbëhen, duke e bërë atë më të lëvizshëm.

“Ngrënia e orizit në rajone si Kina jugore, Azia Juglindore dhe Azia Jugore është tashmë një burim i madh i rrezikut për kancer”, ka theksuar Ziska.

Çfarë mund të bëhet?

Edhe pse situata duket shqetësuese, ka disa zgjidhje praktike:

Shumëzimi i llojeve të reja të orizit që thithin më pak arsenik.

Studiuesit kanë vërejtur dallime të mëdha mes llojeve të ndryshme të orizit.

Menaxhimi i ujitjes. Ujitja e vazhdueshme rrit arsenikun, ndërsa tharja e përkohshme i jep tokës oksigjen që e pengon lëvizjen e tij.

Përpunimi pas korrjes. Mënyra e bluarjes dhe gatimit mund të ulin përmbajtjen e arsenikut në pjatë.

Megjithatë, çdo zgjidhje duhet të përshtatet sipas kushteve lokale, pasi ndryshimi i ujitjes, për shembull, mund të rrisë elemente të tjerë toksikë si kadmiumi.

“Studimi ynë thekson nevojën urgjente për të ulur ekspozimin ndaj arsenikut në oriz, sidomos ndërsa ndryshimet klimatike ndikojnë gjithnjë e më shumë në sigurinë ushqimore globale”, ka thënë Ziska.