Lifestyle

Mënyra e të ushqyerit në moshë të mesme lidhet me plakje më të shëndetshme

karbohidratet e shendetshme

Karbohidratet e shëndetshme

Plakja mund të nënkuptojë shumë gjëra, ngadalësim, lodhje mendore apo më shumë probleme shëndetësore. Por nuk është e thënë të jetë kështu. Një studim i ri ka sugjeruar se ushqimi që konsumojnë gratë në moshë të mesme mund të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e plakjes disa dekada më vonë.

Studimi, i publikuar në JAMA Network Open nga universitetet Tufts dhe Harvard T.H. Chan School of Public Health, ka teguar rreth ndikimin që kanë karbohidratet dhe fibrat në shëndetin afatgjatë të grave, ka shkruar Earth.

Të gjitha karbohidratet nuk janë njësoj

“E kemi dëgjuar të gjithë se karbohidratet ndikojnë ndryshe në peshë, energji dhe në nivelin e sheqerit në gjak. Por ne donim të kuptonim jo vetëm efektet e menjëhershme, por edhe si ndikojnë ato në shëndetin e mirë 30 vjet më pas”, ka thënë autori kryesor i studimit, Andres Ardisson Korat.

Studiuesit kanë analizuar të dhënat e mbi 47,000 grave të moshës 70–93 vjeç, duke ndjekur ushqimin e tyre për një periudhë prej më shumë se 30 vjetësh, që nga viti 1984. Ata u fokusuan te sasia e karbohidrateve të rafinuara, karbohidrateve cilësore dhe fibrave, për të parë se cilat gra plaken mirë dhe cilat jo.

Si duket plakja e shëndetshme?

Të jetosh pas të 70-ave nuk do të thotë automatikisht se po plakesh mirë. Studiuesit përkufizuan plakjen e shëndetshme si: mungesë e sëmundjeve kronike, funksionim i mirë mendor dhe fizik, dhe gjendje e mirë emocionale. Nga të gjitha pjesëmarrëset, vetëm 3,706 gra i përmbushnin këto kushte.

Dhe çfarë kishin të përbashkët ato? Një dietë të pasur me karbohidrate cilësore dhe fibra, sidomos nga drithërat e plota, frutat, perimet dhe bishtajoret.

Karbohidratet cilësore e përmirësojnë plakjen

Kur gratë rritën konsumimin e karbohidrateve cilësore me vetëm 10%, mundësia për të pasur një plakje të shëndetshme u rrit me 31%.

E kundërta ndodhte me karbohidratet e rafinuara, si buka e bardhë dhe ëmbëlsirat, ato lidhen me 13% rënie të shanseve për plakje të shëndetshme.

“Rezultatet tona përputhen me prova të tjera që lidhin konsumin e frutave, perimeve, drithërave të plota dhe bishtajoreve me rrezik më të ulët të sëmundjeve kronike. Tani po shohim lidhjen edhe me funksionin fizik dhe mendor”, ka thënë Qi Sun, autori i lartë i studimit.

Fibrat, më shumë se tretje e mirë

Fibrat ndihmojnë jo vetëm në tretje, por edhe në shëndetin e trurit dhe trupit. Për çdo rritje standarde në marrjen e fibrave, mundësia për plakje të shëndetshme u rrit me 17%.

- Fibrat nga frutat rritën shanset me 14%

- Fibrat nga perimet rritën shanse me 11%

- Fibrat nga drithërat, edhe pse shpesh neglizhohen, rritën shanse me 7%

Gratë me konsum më të lartë fibrash kishin kujtesë më të fortë, funksion më të mirë fizik dhe më pak probleme të shëndetit mendor.

Jo të gjitha karbohidratet ndikojnë njësoj

Termat si indeksi glikemik (GI) dhe ngarkesa glikemike (GL) mund të tingëllojnë teknikë, por kanë rëndësi. Ushqimet me GI të lartë ndikojnë shpejt dhe fort në nivelin e sheqerit në gjak, çka nuk është aspak e favorshme për plakje të shëndetshme.

Interesant është se ushqimet me GL të lartë u lidhën me shëndet më të mirë mendor, por kjo lidhje u dobësua kur u mor parasysh konsumimi i fibrave. Pra, fibra mund të zbusë efektet negative të ushqimeve me GI të lartë.

Çfarë ndodh kur i zëvendëson karbohidratet e rafinuara?

Gratë që i zëvendësuan karbohidratet e rafinuara me ato cilësore patën 8% deri 16% më shumë gjasa për t'u plakur mirë.

“Sot, studimet po tregojnë gjithnjë e më shumë lidhjen midis ushqimeve që konsumojmë në moshë të mesme dhe cilësisë së jetës në moshë të shtyrë. Sa më shumë të kuptojmë për plakjen e shëndetshme, aq më shumë mund të ndihmojmë njerëzit të jetojnë më gjatë dhe më mirë”, ka shtuar Korat.

Dieta që përcakton të ardhmen

Ky studim ka gjurmuar dietat e grave për mbi 30 vjet dhe i lidhi me shëndetin e tyre në të 70-at dhe 80-at. Mesazhi ishte i qartë: ndryshimet e vogla, të qëndrueshme, kanë ndikim më të madh sesa dietat drastike. Gratë që konsumuan më shumë drithëra të plota, fruta dhe perime, përkundrejt atyre që konsumonin bukë të bardhë dhe ëmbëlsira, patën rezultate shumë më të mira në plakje.

Edhe pse pjesëmarrëset ishin kryesisht gra të bardha dhe me nivel të lartë të arsimimit në fushën e shëndetit (çka mund të kufizojë përgjithësimin e rezultateve), gjetjet ishin të forta dhe të qarta.

Mesazhi për gratë

Plakja e shëndetshme nuk do të thotë vetëm të shmangen sëmundjet, por të qenit mendërisht e kthjellët, fizikisht aktive dhe emocionalisht mirë. Ushqimet që konsumojnë gratë në të 40-at dhe 50-at ndikojnë fuqishëm në atë se se si do të ndjehen dekada më vonë.

Nuk bëhet fjalë për të shmangur karbohidratet. Por për të zgjedhur ato të duhurat: drithëra të plota, fruta, perime dhe bishtajore.