Hulumtuesit në Universitetin Rochester kanë zbuluar se për bashkëshortët, është me të vërtetë më mirë të japësh sesa të marrësh, transmeton koha.net.
Një ekip i udhëhequr nga Harry Reis, profesor i psikologjisë në Universitetin e Rochester, i ka studiuar 175 çifte të sapomartuara në Amerikën e Veriut, të cilët ishin të martuar në një mesatare prej 7 muajsh.
"Studimi ynë është dizajnuar për ta testuar një hipotezë të propozuar nga Tenzin Gyatso, Dalai Lama aktual", tha Reis në një njoftim për shtyp. "Ky shqetësim i dhembshurisë për mirëqenien e të tjerëve e rrit gjendjen emocionale të personit në fjalë".
Hulumtuesit kanë zbuluar se përfitimet emocionale të akteve të dhembshurisë janë të rëndësishme për personin që e jep apo ofron dhembshurinë, pavarësisht nëse marrësi është në dijeni të veprimit apo jo, transmeton koha.net.
Nga pjesëmarrësit e studimit u kërkua ta mbajnë një ditar të përditshëm dyjavor për t’i regjistruar rastet ku cilido bashkëshort i sakrifikoi dëshirat personale për t’i përmbushur nevojat e partnerit të tyre. Pjesëmarrësit i regjistruan gjendjet e tyre të përditshme emocionale çdo ditë në bazë të 14 gjendjeve pozitive dhe negative, si lumturia, qetësia, pikëllimi, zemërimi dhe lëndimi.
Gjatë periudhës 14-ditore, meshkujt dhe femrat raportuan dhënien dhe marrjen e një mesatareje prej .65 dhe .59 akteve të dhembshurisë në ditë. Burrat raportuan se kishin marrë më shumë akte të dhembshurisë sesa gratë.
Rezultatet treguan se dhuruesit përfituan nga aktet e dhembshurisë edhe në qoftë se aktet nuk ishin njohur nga partnerët e tyre. Përfitimi për dhuruesit ishte rreth 45 për qind më i madh se për përfituesit.
"Është e qartë se marrësi duhet ta vërejë aktin e dhembshurisë për të përfituar emocionalisht nga ai", tha Reis. "Por njohja është një faktor shumë më i vogël për dhuruesin. Sjellja me dhembshuri mund të jetë shpërblimi ynë".
Studimi u publikua në revistën Emotion.