Njerëzit që flenë ditën dhe mbesin zgjuar natën kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar diabet të tipit 2 dhe zakone të tjera të pashëndetshme, ka gjetur një studim i ri.
“Kur kemi shikuar lidhjen mes kronotipit dhe diabeteve gjetëm se ata që rrinë zgjuar natën kishin 72 për qind më shumë rrezik për zhvillim diabeti, përgjatë tetë vjetëve të studimit”, ka thënë autorja kryesore e studimit, Sina Kianersi, hulumtues në një nga spitalet më të mira në Amerikë, Brigham and Women’s Hospital, që shërben dhe si shkollë e mjekësisë së Harvardit.
Hulumtuesit kanë gjetur lidhje të fuqishme mes këtij stili dhe disa sjelljeve të tjera të pashëndetshme – që të gjitha kontribuuese në sëmundje kronike, si diabeti i tipit 2.
“Njerëzit që rrinë zgjuar natën kanë më shumë të ngjarë të hanë dobët, të jenë më pak aktivë fizikisht, të konsumojnë më shumë alkool, të kenë indeks më të dobët të masës trupore, të pinë duhan e të flenë më pak ose më shumë se orari i rekomanduar çdo natë”, ka thënë Kianersi.
Kur Kianers dhe ekipi i tij i shkencëtarëve hoqën nga të dhënat zakonet e pashëndetshme, rreziku që njerëzit që flenë tejet vonë të zhvillojnë diabet të tipit 2 ra për 19 për qind në krahasim me ata që zgjohen herët, ose njerëzit që flenë herët.
Secili trup ka orë trupore 24-orëshe që rregullon lirimin e hormonit melatoninë për të nxitur gjumin. Kronotipet e gjumit mendohet të jenë të trashëguara, edhe pse me punë mund të ndryshohen.
Edhe
Studimi: Gjumi jo i rregullt rrit gjasat për diabet për 34%
Nëse dikush fle herët, nënkupton se organizmi i tij e liron këtë hormon më herët se normalja duke bërë që të jetë më aktivë në mëngjes. Për ata që nuk flenë natën deri vonë ora e brendshme e liron hormonin shumë më vonë, duke i bërë mëngjeset e ngadalshme dhe duke shtyrë aktivitetin dhe vigjilencën deri në pasdite apo në mbrëmje. Por kjo s’është e gjitha. Çdo qelizë në trup ka ritëm të tillë.
Studimi i ri, i publikuar në “Annals of Internal Medicine”, ka marrë për bazë të dhënat e më shumë se 64 mijë infermiere që ishin pjesë e një prej studimeve më të mëdha për të gjetur sëmundjet kronike te gratë. Të dhënat u grumbulluan nga viti 2009 deri më 2017 dhe morën për bazë orën e brendshme trupore, kualitetin e ushqimit, orarin e gjumit, peshën, indeksin trupor, duhanpirjen, konsumin e alkoolit, aktivitetin fizik dhe historinë familjare të diabetit. Të dhënat u grumbulluan dhe u ndërlidhën për të përcaktuar se kush mori sëmundjen e sheqerit.