Një studim i kryer në Danimarkë ka sugjeruar se nuk ka asnjë provë që alumini që gjendet në vaksinat e fëmijërisë shkakton autizëm, ADHD apo sëmundje të tjera kronike, ka raportuar NeuroScienceNews.
Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 1.2 milion fëmijëve të lindur mes viteve 1997 dhe 2018, duke ndjekur shëndetin e tyre deri në moshën 8-vjeçare. Ata shqyrtuan 50 gjendje të ndryshme shëndetësore, përfshirë sëmundje neurologjike si autizmi dhe ADHD, sëmundje autoimune dhe alergji, dhe rezultatet ishin të qarta: nuk ka rrezik të shtuar nga alumini i marrë përmes vaksinave deri në moshën 2 vjeç.
“Rezultatet tona tregojnë se nuk ka asnjë rritje të rrezikut për asnjë nga këto sëmundje”, thuhet në raportin e autorëve të studimit të publikuar në revistën Annals of Internal Medicine.
Autizmi: rreziku nuk u rrit, përkundrazi, ishte pak më i ulët
ADHD: po ashtu nuk kishte rritje të rrezikut
Astma dhe ekzemat: pa ndonjë lidhje negative me alumini
Sëmundjet autoimune: asnjë lidhje me ekspozimin ndaj aluminit
Shkencëtarët arritën në përfundimin se çdo rrezik i mundshëm është aq i vogël, sa që nuk ka ndikim real në shëndetin publik.
Alumini përdoret në vaksina që prej më shumë se 90 vitesh si “adjuvant”, substancë që ndihmon në forcimin e reagimit imunitar ndaj vaksinës. Megjithatë, frika ka ekzistuar për vite me radhë, kryesisht nga studime të vogla apo nga rrjetet sociale.
Por ky studim i fundit, i kryer në një shkallë të paparë më herët, hedh poshtë çdo shqetësim të madh për këtë çështje.
“Ky është një nga hulumtimet më të mëdha ndonjëherë për sigurinë e vaksinave. Gjetjet janë të qarta dhe qetësuese”, thuhet në raportin e studimit.
Shumë individë kanë krijuar frikë duke u bazuar në studime me kafshë që morën doza shumë më të larta alumini sesa fëmijët. Po ashtu, disa studime të vogla kanë sugjeruar lidhje të mundshme, por pa kontrolluar faktorë të rëndësishëm si statusi ekonomik apo historia familjare.
Studimi danez i zgjidhi këto mangësi, duke përdorur të dhëna të detajuara nga regjistrat kombëtarë të shëndetit në Danimarkë.
Studiuesit do të vazhdojnë të ndjekin fëmijët edhe në adoleshencë dhe moshë të rritur për të parë nëse shfaqen ndonjëherë sëmundje shumë të rralla. Por për momentin, provat janë të qarta: vaksinat që përmbajnë alumin nuk dëmtojnë trurin, imunitetin apo shëndetin alergjik të fëmijëve.
Studiuesit kane deklaruar se prindërit mund të jenë të qetë duke ditur se vaksinat i mbrojnë fëmijët nga sëmundje të rënda pa rritur rrezikun për sëmundje kronike.
Sipas shkencëtarëve vaksinat janë ndër trajtimet më të kontrolluara në historinë e mjekësisë, dhe vazhdojnë të jenë ndër më të sigurta.