Lifestyle

Si të kontrollohen emocionet dhe të mos lejohen që të ndikojnë në disponim

foto ilustrim nga: Oyow

Foto ilustrim nga Oyow

Emocionet janë pjesë thelbësore e njerëzve. Megjithatë, ndonjëherë nuk është e nevojshme që ato përpunohen.

“Ato mund të ndryshohen”, ka shkruar psikologu Ethan Kross në librin e tij të ri, “Shift: Managing Your Emotions — So They Don’t Manage You” (Kontrolloni emocionet tuaja që të mos ju kontrollojnë ato).

The New York Times ka shkruar se sipas një studimi të vitit 2015 që shqyrtoi jetën emocionale të më shumë se 11,000 personave, njerëzit përjetojnë të paktën një emocion 90% të kohës. 

Kross, i cili punon në Universitetin e Michiganit, ka studiuar emocionet e njerzve për mbi dy dekada dhe ka vërejtur se 40% e pjesëmarrësve në studim besojnë se nuk mund t’i kontrollojnë emocionet e tyre.

Emocionet nuk duhet të “përpunohen” gjithmonë

Shumë njerëz mund të besojnë se përballja me emocionet negative është e nevojshme, por Kross ka thënë se ndonjëherë mund të jetë më e dobishme që përkohësisht të shmanget përballja me to. 
Ai ka thënë se shmangia mund të ndihmojë në zvogëlimin e intensitetit të një përvoje negative dhe mund të ofrojë distancë që ndihmon të shihet situata nga një këndvështrim më i gjerë.

Si mund ta dini kur të përballeni me emocionet dhe kur t’i shmangni ato? 

Kross sugjeron që njerëzit t’i bëjnë vetes këto pyetje:

“A po më bën kjo ndjesi më mirë për problemin që kam përballë”? 
“A do të ketë ende rëndësi ky shqetësim pas një kohe”?

“Nëse ndjeni se fokusi ju ka sjellë lehtësim dhe shqetësimi nuk po ju kthehet, kjo është shenjë që shmangia ka funksionuar. Për shembull, në ndonjë festë apo ndejë ju do të mund të thoni diçka për të cilën më vonë do të pendoheshit, por në vend që të brengoseni për këtë, mund ta shpërqendroni veten duke shikuar video qesharake të asaj nate”, ka thënë Kross.

Ndërkohë ai ka shtuar se nëse dikush nuk mund të ndalojë së menduari për atë çast që e shqetëson, duke u munduar ta neglizhojë përmes konsumimit të substancave narkotike apo alkoolit, vazhdimisht duke kërkuar miratim për sjelljen e keqe, neglizhenca nuk funksionon.

Drejtojuni vetes në vetën e dytë

Kur përdoret fjala “ti”, ajo është zakonisht për të tjerët. Por kur përdoret në këtë formë për veten, Kross thotë se është një teknikë e njohur si “biseda në distancë me veten” që mund të ndihmojë në rregullimin e emocioneve negative.

Një studim, që Kross dhe kolegët e tij e kanë bërë në vitin 2017, ka zbuluar se njerëzit që përdorën këtë mënyrë bisede u ndjenë më mirë brenda sekondash.

Për shembull, në vend që të thuhet “jam i stresuar”, Kross rekomandon shprehjen “ti je i stresuar”.
Ky ndryshim i vogël linguistik mund t’i ndihmojë njerëzit të ndihen më empatik ndaj vetes dhe t’i bëjë të shohin situatën nga një këndvështrim më i qetë.

Shqisat janë superfuqi emocionale

Kross ka treguar se disa nga mjetet më të lehta që mund të përdoren për t'i ndryshuar emocionet janë shqisat – shikimi, nuhatja, prekja, dëgjimi dhe shija. 

Për shembull, nëse dikush ndihet keq pasi ka pasur një ditë të keqe, një përqafim do të mund t’i ndihmonte. 

Përkëdhelja e një qeni apo kafshe, gjithashtu mund të ndihmojë për të ulur nivelet e hormonit të stresit, kortizolit.

Disa studime kanë sugjeruar gjithashtu se nuhatja e një arome të këndshme si kafeja mund të reduktojë stresin. Po ashtu, dëgjimi i muzikës mund të ndihmojë në rregullimin e emocioneve.

Për Krossin, radioja e makinës është “makinë për rregullimin e emocioneve”, që ofron mundësi të pafundme për të ndryshuar humorin. 

“Një nga këngët që më ndihmon t’i rregulloj emocionet është ‘Don’t Stop Believin’ nga Journey”, ka thënë Kross.

Ai gjithashtu ka cekur se menaxhimi i shpeshtë i situatave stresuese përmes neglizhencës së vazhdueshme të emocioneve është gjë e dëmshme që mund të qojë në dëm psikologjik.

“Por problemi me argumentin se ‘neglizhenca është toksike apo e dëmshme’ është se ky argument vetëm supozon se të gjitha neglizhencat janë të këqija”, ka shpjeguar doktori.

Në fund, Kross ka theksuar se nuk ka një zgjidhje të vetme për të gjithë. 

Sipas tij çdo person ka mjete të ndryshme që funksionojnë për t’i ndryshuar emocionet, dhe ky proces ai ka thënë se është unik për çdo individ dhe situatë.