Rosy Devi, 38 vjeçe nga India, thotë se jeta e saj ka ndryshuar plotësisht që nga histerektomia (operimi që heq mitrën e vezoret) në vitin 2019, e cila e futi në menopauzë të hershme. Ajo përjeton dhimbje trupi, nxehtësi të forta, djersitje dhe dhimbje gjoksi, simptoma që nuk i kishte imagjinuar kurrë.
“Ndihem sikur jam plakur përnjëherë”, ka thënë ajo për CNN.
Menopauza ndodh kur një gruaje i ndalet cikli menstrual për më shumë se 12 muaj. Zakonisht shfaqet mes moshës 45 dhe 55 vjeç, por shumë gra e përjetojnë më herët, nga mjekime, histerektomi ose arsye të tjera shëndetësore.
Problemi, sipas ekspertëve, është mungesa e informacionit.
Shumë gra nuk e dinë çfarë është menopauza, nuk i njohin simptomat dhe shpesh edhe mjekët nuk japin sqarime të mjaftueshme.
Studime nga Britania tregojnë se mbi 90 për qind e grave nuk kanë mësuar kurrë për menopauzën në shkollë.
Simptomat më të zakonshme janë:
- nxehtësi të forta dhe djersitje natën
-ndryshime humori, pagjumësi
-tharje vaginale, ulje e libidos (dëshirës seksuale)
-dhimbje koke, rrahje të shpejta zemre
-shtim në peshë, dhimbje muskulore dhe rënie të flokëve
Por disa gra mund të kenë edhe shenja më pak të njohura, si tharje të syve, ndryshime në shikim apo mavijosje të shpejtë.
Pse është e rëndësishme njohja e simptomave?
Sepse menopauza rrit rrezikun për sëmundje të zemrës, osteoporozë, depresion dhe ankth.
Ekspertët thonë se njohja e hershme e tyre i ndihmon gratë të kërkojnë ndihmë dhe të ndryshojnë stilin e jetesës.
Si menaxhohen simptomat?
Terapia hormonale (HRT) është më e zakonshmja dhe shumë efektive, por jo gjithmonë e qasshme, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta.
Shumë gra mbështeten te mënyrat natyrale: ushtrimet, humbja e peshës, ndalimi i duhanit dhe reduktimi i alkoolit.
Ekspertët kërkojnë më shumë edukim, fushata publike dhe politika shëndetësore që njohin menopauzën si një fazë të rëndësishme të jetës.
Sipas tyre, menopauza nuk është fundi, është një kapitull i ri.