Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Sytë e thatë gjatë menopauzës, një problem që gratë nuk duhet ta neglizhojnë

Thatësia e syve

Thatësia e syve. Ilustrim nga Hanna Barczyk për NPR

Thatësia e syve është një problem shumë i zakonshëm te gratë, sidomos gjatë perimenopauzës dhe menopauzës. Studimet sugjerojnë se rreth gjysma e grave gjatë kësaj periudhe përjetojnë simptoma të thatësisë në sy, ka shkruar NPR.

Hilda Hernandez Nash, në fund të të 40-ave, e kuptoi këtë kur papritur nuk mund të mbante më thjerrëzat.

“Sytë më dukeshin sikur ishin prej letre”, tregon ajo. Më pas iu skuqën, i lotuan dhe iu ënjtën, ndërsa pati edhe vështirësi në fokusim dhe ndjeshmëri ndaj dritës.

Sipas oftamologes Lauren Gormley, thatësia e syve është rreth dy herë më e zakonshme te gratë mbi 50 vjeç sesa te burrat e së njëjtës moshë.

Pse lidhen me menopauzën?

Thatësia në sy ndodh kur sytë nuk prodhojnë mjaftueshëm lot ose kur lotët avullojnë shumë shpejt. Një rol të rëndësishëm kanë gjëndrat e vogla në qepalla që prodhojnë vaj dhe ndihmojnë në mbajtjen e lotëve në sipërfaqen e syrit.

Gjatë menopauzës, ndryshimet hormonale, sidomos ulja e androgjeneve dhe ndryshimet e estrogjenit, mund të ndikojnë në këto gjëndra. Kjo mund të shkaktojë avullim më të shpejtë të lotëve dhe inflamacion të sipërfaqes së syrit.

Por nuk janë vetëm hormonet. Përdorimi i gjatë i kompjuterit dhe telefonit, thjerrëzat, disa ilaçe, alergjitë, rosacea dhe ekzema mund të kontribuojnë gjithashtu. Kur shikojmë ekranet, pulsimet e syve pakësohen dhe lotët nuk shpërndahen siç duhet.

Mos i neglizhoni simptomat

Thatësia e syve mund të ndikojë në punë, lexim dhe drejtim automjeti. Në raste më të avancuara, sipërfaqja e kornesë mund të dëmtohet, duke shkaktuar shikim të turbullt dhe rrezik më të madh për infeksione ose dëmtime të kornesë.

“Sytë tuaj nuk duhet të ndikojnë në cilësinë e jetës. Prandaj, po, duhet të shkoni te mjeku”, ka thënë Kelly Nichols, dekane e Shkollës së Optometrisë në Universitetin e Alabamës.

Nëse keni skuqje, irritim, ndjeshmëri ndaj dritës ose ndryshime të shikimit, rekomandohet një kontroll te oftamologu.

Si trajtohet?

Thatësia e syve është zakonisht një gjendje kronike, por ka shumë mënyra për t’i lehtësuar simptomat. Trajtimi mund të përfshijë kompresa të ngrohta, pika lubrifikuese pa recetë, pushime të shpeshta gjatë përdorimit të ekraneve, reduktim të kohës para ekranit si dhe trajtime me recetë ose procedura për gjëndrat e qepallave.

Mund të ndihmojë gjithashtu konsumimi i ushqimeve të pasura me omega-3, si salmoni, arrat dhe farat e lirit, megjithëse provat për suplementet omega-3 janë të përziera.

“Kur identifikon se nga vjen problemi dhe fillon ta trajtosh në mënyrën e duhur, ndryshimi mund të jetë shumë i madh”, ka thënë Gormley.