Lifestyle

Shtatë hobitë e “boomers” që praktikohen nga “Gen Z”

Hobet e “boomers” që praktikohen nga “Gen Z”

VegOut ka shkruar se moda, stili dhe zakonet kanë mënyra të çuditshme për t’u rikthyer. Ajo që dikujt i duket e vjetruar, sot është trend në TikTok e Instagram. Shumë nga hobitë që bënin gjyshërit tanë për të kaluar kohën, tani janë bërë pasion i brezit të ri.

GenZ, brezi i lindur ndërmjet viteve 1997 deri 2012, po rikthen stilin e jetesës që kanë bërë “boomers”, brezi që ka lindur ndërmjet viteve 1946 dhe 1964.

Koleksionimi i disqeve

Dikur disqet vinil ishin e vetmja mënyrë për të dëgjuar muzikë. Sot, për Gen Z, ato nuk janë thjesht nostalgji, por një ritual.

“Vinili është forma më e pastër e muzikës që mund ta marrësh”, ka thënë muzikanti Jack White. Rënia e gjilpërës mbi pllakë, tingulli i ngrohtë dhe fakti që ke diçka të prekshme në dorë, është përvojë që asnjë platformë streaming nuk e zëvendëson.

Studiuesit theksojnë se muzika aktivizon pjesë të trurit që lidhen me emocionet dhe kujtesën. Prandaj një disk i vjetër i Fleetwood Mac, që kanë dëgjuar prindërit, mund të zgjojë ndjesi shumë më të forta sesa e njëjta këngë në platformën transmetuese Spotify.

Fotografia me film

Në kohën e kamerave digjitale dhe telefonave, filmi dukej i harruar. Por, Gen Z e ka kthyer në trend duke përdorur kamera të vjetra dhe duke postuar foto me cilësi më të vogël që duken më autentike.

Susan Strong, personazh nga seriali i animuar “Adventure Time” pati thënë se “të gjitha fotografitë janë momente”. Për këtë brez, një fotografi në film është më shumë se imazh, është provë e një momenti unik.

Pritja derisa të zhvillohen fotot, ndryshe nga klikimet e menjëhershme të telefonit, sjell një ndjesi pritjeje e surprize që psikologët e lidhin me rritjen e dopaminës.

Blerja e sendeve të dorës së dytë dhe përdorimi i tyre për qëllime të reja

Dyqanet e rrobave të përdorura dikur ishin çështje ekonomike. Sot, Gen Z i shndërron në “gjueti thesari”. Jo vetëm që blejnë më lirë, por edhe ripërpunojnë, qepin dhe e kthejnë një copë të vjetër në veshje unike.

Ekonomistët e quajnë këtë “efekti IKEA”, njerëzit e vlerësojnë më shumë një send kur kanë kontribuuar vetë në krijimin e tij.

Për këtë brez, dyqanet e dorës së dytë nuk janë vetëm modë, janë identitet dhe kreativitet.

Kopshtaria

"Boomers", shpesh mbillnin perime në oborr për praktikë. "Gen Z" e bën për shëndetin mendor. Një studim i Journal of Health Psychology, ka treguar se 30 minuta kopshtari ul ndjeshëm nivelin e stresit (kortizolit) dhe rrit gjendjen pozitive më shumë sesa leximi brenda në shtëpi.

Nga ballkonet e qyteteve, tek bimët në dritare e deri te trendi i TikTokut që idealizon jetën rurale, kjo gjeneratë po rikrijon lidhjen me natyrën. Për shumë të rinj, të mbjellësh një bimë është edhe ndjesi sigurie në kohë të pasigurta.

Thurrja dhe qepja me grep

Ajo që dikur shihej si punë e gjysheve, sot është art i gjallë. Në Instagram e e ne platformën e blerjeve online “Etsy” shfaqen xhaketa, kapele dhe modele kreative që nuk kanë lidhje me shallet e thjeshtë të dikurshëm.

Psikologu Mihaly Csikszentmihalyi, që shpiku konceptin e “flow”, (term psikologjik që përshkruan gjendjen kur një person është plotësisht i zhytur dhe i përqendruar në një aktivitet, duke humbur ndjesinë e kohës dhe të vetes), ka theksuar se njerëzit ndihen më të lumtur kur janë të zhytur në një aktivitet që kërkon fokus.

Thurrja është shembulli perfekt, i thjesht, meditativ dhe me rezultat të prekshëm.

Plus, sot është edhe aktivitet social, grupe online, “stitch clubs” në TikTok apo takime fizike që e kthejnë në lëvizje komunitare.

Bowling

Për "boomers", ishte aktivitet tipik i fundjavës. Pastaj u zbeh. Sot, është rikthyer falë sallave retro me drita neon dhe atmosferës argëtuese. Nuk ka të bëjë me konkurrencë, por me përvojë sociale. Psikologët kanë theksuar se aktivitete të përbashkëta si bowling forcojnë lidhjet emocionale dhe sjellin ndjenjë bashkësie.

Grupet e leximit

"Boomers" i kishin për të biseduar e për të kaluar kohë. "Gen Z" i ka kthyer në trend përmes TikTok-ut, Discordit dhe takimeve live. Diskutohen si librat klasikë, ashtu edhe autorë modernë si Colleen Hoover.

“Arsyeja pse lexoj është që të jetoj më shumë se një jetë në më shumë se një vend”, ka thënë shkrimtarja Zadie Smith.

Për të rinjtë, librat janë mundësi për introspeksion, por edhe për lidhje sociale në një kohë kur mbingarkesa digjitale është e lodhshme.