Lifestyle

Shkencëtarët zbulojnë proteinën që plak trurin

truri

Truri

Një studim i ri nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko (UCSF) ka identifikuar një proteinë të quajtur FTL1, e cila duket se është çelësi për plakjen e trurit.

Eksperimentet te minjtë kanë treguar se sasia e lartë e FTL1 çon në humbje të kujtesës, dobësim të lidhjeve mes qelizave të trurit dhe ngadalësim të funksionimit të tyre. Por kur shkencëtarët e bllokuan këtë proteinë, minjtë e moshuar rifituan funksionimin rinor të trurit dhe kujtesë të mprehtë, ka raportuar ScienceDaily.

“Është vërtet rikthimi i aftësive, shumë më tepër sesa thjesht vonimi ose parandalimi i simptomave”, ka thënë Saul Villeda, PhD, autor kryesor i studimit dhe zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve për Plakjen "Bakar" në UCSF.

Studiuesit kanë zbuluar se minjtë e moshuar kishin nivele më të larta të FTL1 në hipokampus, pjesa e trurit që kontrollon të mësuarit dhe kujtesën, si dhe më pak lidhje nervore. Kur kjo proteinë u rrit artificialisht te minjtë e rinj, truri dhe sjelljet e tyre filluan të ngjanin me ato të minjve të moshuar.

Në anën tjetër, kur shkencëtarët ulën nivelin e FTL1 në hipokampusin e minjve të vjetër, ata fituan më shumë lidhje nervore dhe performuan më mirë në testet e kujtesës.

Eksperimentet në laborator treguan gjithashtu se qelizat nervore me shumë FTL1 prodhonin degëzime të thjeshta, jo lidhje komplekse që gjenden zakonisht te qelizat e shëndetshme.

Për më tepër, FTL1 ngadalësonte metabolizmin e qelizave nervore, por kur ato trajtoheshin me një substancë që stimulon metabolizmin, efektet negative zhdukeshin.

Villeda ka thënë se ky zbulim është hap i madh drejt terapive që mund të bllokojnë FTL1 dhe të përmirësojnë shëndetin e trurit te të moshuarit.

“Po shohim më shumë mundësi për të lehtësuar pasojat më të rënda të plakjes. Është një kohë shpresëdhënëse për të punuar në biologjinë e plakjes”, ka thënë ai.

Studimi u botua më 19 gusht në revistën Nature Aging.