Lifestyle

Shkencëtarët thonë se Alzheimeri mund të fillojë jashtë trurit

Alzheimer

Për të gjetur një kurë për sëmundjen e Alzheimerit, shkencëtarët duhet të kuptojnë si dhe ku fillon kjo sëmundje. Një studim i ri i bërë në SHBA dhe Gjermani sugjeron se shkencëtarët deri më tash mund të kenë kërkuar në vendin e gabuar, ka raportuar Science Alert.

Studimi, që është publikuar në revistën shkencore “Neuron”, ka treguar se rreziku gjenetik për Alzheimerin dhe sëmundje të tjera të trurit është i lidhur me barrierën gjak-tru, një sistem mbrojtës që përfshin enët e gjakut dhe qelizat imunitare që rrethojnë dhe mbrojnë trurin.

Deri tani, Alzheimeri është shoqëruar kryesisht me grumbullime të proteinave jonormale që dëmtojnë neuronet në tru. Por ky studim sugjeron se shkaktari fillestar i sëmundjes mund të vijë nga jashtë, duke kaluar përmes barrierës së dëmtuar të trurit.

“Kur studiojmë sëmundjet e trurit, shumica e kërkimeve janë përqendruar te neuronet. Shpresoj që zbulimet tona të nxisin më shumë interes për qelizat që formojnë kufijtë e trurit, sepse ato mund të jenë thelbësore në sëmundje si Alzheimeri” thotë Andrew Yang, neuroshkencëtar nga Gladstone Institute of Neurological Disease në Kaliforni.

Shkencëtarët përdorën një teknologji të re të quajtur MultiVINE-seq, që analizon qelizat vaskulare dhe imunitare në tru, duke matur aktivitetin e tyre gjenetik dhe qasjen në kromatinën e ADN-së (pra, sa “e hapur” është ADN-ja për t’u përdorur nga qeliza).

Ata kanë studiuar 30 mostra të trurit post-mortem, nga njerëz me dhe pa sëmundje neurologjike. Rezultatet kanë treguar se shumica e varianteve gjenetike të lidhura me Alzheimerin ndodhen jo në vetë gjenet, por në zonat përreth tyre, që kontrollojnë se si veprojnë gjenet.

Mostra të trurit post-mortem
Fotografi nga Glastone Instutute në Kaliforni

Këto variante ndodhen shpesh në qelizat në kufirin e trurit, si: qelizat endoteliale, që kontrollojnë hyrjen në tru dhe qelizat imunitare T, që ndihmojnë në mbrojtje.

Disa variante sugjerojnë se qelizat imunitare inflamatore mund të nxisin ose përshpejtojnë Alzheimerin.

“Deri tani e dinim që këto variante gjenetike rrisnin rrezikun për sëmundjen, por nuk dinim ku dhe si vepronin. Studimi ynë tregon që shumë prej tyre veprojnë pikërisht në enët e gjakut dhe në qelizat imunitare të trurit”, ka thënë Madigan Reid, një tjetër neuroshkencëtare nga Gladstone Institute.

Ky zbulim, sipas doktorëve, ka theksuar rëndësinë e sistemit imunitar dhe enëve të gjakut, jo vetëm të trurit, në zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri.

Studimet e mëparshme kanë sugjeruar që Alzheimeri mund të lidhet me inflamacion të përgjithshëm në trup, komunikim të dobët mes trupit dhe trurit si dhe çrregullime të sistemit imunitar.

Tani, me këtë studim, doktorët kanë konstatuar se kanë prova më të forta që mbrojtja e trurit nga “jashtë” mund të jetë po aq e rëndësishme sa ajo që ndodh brenda tij.

Sipas tyre, ky studim jo vetëm që hap rrugë për ilaçe të reja që synojnë barrierën gjak-tru, por gjithashtu sugjeron që mund të ketë ndërhyrje në stilin e jetesës që ndihmojnë në ruajtjen e integritetit të trurit.

“Kjo punë i vendos qelizat vaskulare dhe imunitare të trurit në qendër të vëmendjes. Duke pasur parasysh rolin e tyre unik në lidhjen e trurit me trupin dhe botën e jashtme, puna jonë mund të çojë në mënyra të reja për të mbrojtur trurin, nga jashtë brenda”, ka thënë Andrew Yang.