Numri i vdekjeve nga kanceri ka rënë përgjithësisht, ndërkohë që dallimet në numrin e të prekurve bazuar në racë dhe gjini vazhdojnë të ekzistojnë.
The Guardian ka shkruar se sipas një raporti të ri nga Shoqata Amerikane e Kancerit (ASC), disa lloje të kancerit janë në rritje midis të rinjve dhe grave.
Sipas raportit kjo shënon herën e parë që nga fillimi i viteve 1900 që numri i rasteve me kancer është më i lartë krahasuar me burrat.
Raporti i titulluar “Statistikat e Kancerit”, ofron një pasqyrë të normave të kancerit në SHBA duke analizuar të dhënat nga vitet 1991 deri në 2021, dhe ofron kontekst për ndryshimet pozitive dhe shqetësuese në normat e sëmundjes.
Rritja e rasteve të kancerit ndër të rinjtë dhe gratë
“Kanceri është shkaku kryesor i vdekjes për të gjithë ata nën moshën 85 vjeçe. Sipas raportit, këtë vit, parashikohet që do të ketë më shumë se 2 milionë diagnoza të reja të kancerit dhe 618,000 vdekje nga kanceri. Kjo do të ishte e barabartë me humbjen e dy qyteteve të mesme në vend”, ka thënë shefi shkencor i ASC-së, William Dahut.
Një ndryshim i rëndësishëm është se gratë nën moshën 65-vjeçare tani kanë më shumë mundësi të diagnostikohen me kancer sesa burrat në këtë grupmoshë, diçka që nuk ka ndodhur më parë.
“Ajo që po e shtyn këtë trend të rritjes te gratë janë kanceri i gjirit dhe kanceri i tiroideve. Ani pse kanceri i tiroideve është stabilizuar vitet e fundit, ka qenë sëmundja që ka pësuar rritjen më të shpejtë gjatë periudhës që po shqyrtojmë”, ka thënë Rebecca Siegel, drejtoreshë e lartë e ACS-së.
Ndryshimet në normat e kancerit në grupmosha të ndryshme
Mosha mbi 65 vjeç vazhdon të konsiderohet si më e rrezikuara nga kanceri, por është vënë re rritje e rasteve për ata nën 65 vjeç. Po ashtu, janë rritur rastet e diagnozave për ata nën 50 vjeç, si dhe për ata që janë midis moshës 50 dhe 64 vjeç.
Dallimet racore dhe gjinore
Raporti gjithashtu vë në dukje se dallimet racore dhe gjinore në normat e kancerit vazhdojnë. Dëshmitë tregojnë se indigjenët (indianët vendas amerikanë) kanë dy deri tre herë më shumë mundësi të zhvillojnë kancer në veshka, mëlçi, stomak dhe qafë të mitrës se sa njerëzit e bardhë. Gratë me ngjyrë kanë më pak mundësi të diagnostikohen me kancer gjiri, por kanë më shumë mundësi të vdesin prej tij, dhe ka 50% më shumë gjasa të vdesin nga kanceri i qafës së mitrës.
Kanceri dhe rritja e numri të rasteve
Numri i rasteve vazhdon të rritet për kanceret më të zakonshme, si kanceri i prostatës që ka parë rritjen më të madhe, me 3% në vit që nga viti 2014. Megjithatë, përkundër këtyre tendencave shqetësuese, raporti nënvizon përfitimet e përparimeve teknologjike në mjekësi, zbulimin e hershëm dhe uljen e konsumimit të duhanit në shoqëri.
Në përgjithësi, vdekshmëria nga kanceri ka rënë me 34% që nga viti 1991, që përkthehet në më shumë se 4.5 milionë vdekje të evituara nga kanceri.