Me shekuj njerëzit janë munduar të gjejnë mënyra për të ngadalësuar plakjen, për të rritur vitalitetin apo për të zgjatur jetën.
Studimet tregojnë se njerëzit që ecin më shumë se 8,000 hapa në ditë e ulin përgjysmë rrezikun për të vdekur para kohe, krahasuar me ata që ecin më pak se 5,000 hapa. Megjithatë, pas 8,000 hapave, përfitimet shtesë janë minimale, duke sfiduar bindjen e përhapur për “magjinë” e 10,000 hapave në ditë, ka shkruar ScienceAlert.
Sipas studimit të ri ritmi i ecjes është thelbësor, sidomos për zemrën dhe plakjen.
Një analizë e të dhënave nga mbi 450,000 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar ka treguar se jeta e kaluar duke ecur me ritëm të shpejtë, mbi 100 hapa në minutë, ose rreth 5-6 km në orë, mund ta zvogëlojë moshën biologjike me deri në 16 vjet krahasuar me jetën e kaluar duke ecur ngadalë.
Për më tepër, një studim vijues ka treguar se nuk është kurrë vonë për të filluar: një grua apo burrë 60-vjeçar/e që fillon të ecë shpejt për 10 minuta në ditë, mund të fitojë një vit shtesë jetë.
Studimet gjithashtu zbuluan se ritmi i ecjes është parashikues më i fuqishëm i rrezikut për sëmundje të zemrës dhe vdekshmërisë sesa treguesit tradicionalë si presioni i gjakut apo kolesteroli. Madje, është më i besueshëm se vetë ushqyerja, pesha apo aktiviteti fizik i përgjithshëm.
Sipas studiuesve, pyetja më e rëndësishme që një mjek mund t’i bëjë pacientit është: “Sa i shpejtë është ritmi yt i ecjes në krahasim me njerëzit e tjerë?”.
Ecja nuk ka vetëm përfitime fizike. Studiuesit thonë se ajo dyfishon prodhimin e ideve krijuese, pasi zonat e trurit që lidhen me kujtesën dhe imagjinatën aktivizohen kur lëvizim. Kjo shpjegon pse shpesh zgjidhjet më të mira për problemet vijnë gjatë një ecjeje të zakonshme.
Ecja në natyrë, sipas hulumtimeve, rrit edhe më shumë përfitimet mendore dhe emocionale. Kjo është arsyeja pse në disa vende, mjekët përshkruajnë të ashtuquajturat “receta natyrore”, që inkurajojnë pacientët të ecin në ambiente të gjelbra për të përmirësuar shëndetin mendor dhe fizik.
Investim që mund të shpëtojë miliona jetë
Mungesa e aktivitetit fizik është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve kronike si diabeti dhe sëmundjet e zemrës. Sipas vlerësimeve, rreth 3.9 milionë vdekje të parakohshme mund të parandalohen çdo vit nëse njerëzit do të lëviznin më shumë.
Por sistemi shëndetësor global fokusohet ende më shumë te trajtimi sesa parandalimi. Ndërkohë që për zhvillimin e një ilaçi të ri shpenzohen mesatarisht 1 miliard dollarë, një pjesë e vogël e këtij buxheti mund të përdorej për të krijuar hapësira publike që nxisin lëvizjen.