Lifestyle

Problemet me të cilat përballen gratë pas lindjes, OBSH-ja bën thirrje për kujdes

Një studim i ri ka treguar se neglizhimi i problemeve shëndetësore nga gratë pas lindjes po krijon probleme serioze shëndetësore, raporton CNN.

Sipas studimit të realizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), komplikimi më i shpeshtë te gratë pas lindjes është dhimbja që përjetojnë ato marrëdhënieve intime në çift, që afektoi 35% të grave që morën pjesë në studim. Studimi thotë së kjo gjë krijon stres të pa shmangshëm tek çiftet pasi ata duan ta rimëkëmbin intimitetin pas arritjes në jetë të fëmijës.

Në komplikime të tjera bëjnë pjesë dhimbja e shpinës që e përjetojnë 32% të grave, moskontrolli i vrimës anale që e humbasin 19% e grave, moskontrolli i traktit urinar që humbasin 8-31% e tyre, ankthi që e përjetojnë 9-24%, depresioni me 11-17% dhe frika nga të lindurit sërish fëmijë që e përjetojnë 6-15% e tyre.

Më shumë se dhjetë gra pastaj kanë probleme për të mbetur sërish shtatzënë pas komplikimeve në shtatzënësinë e parë.

Mostrajtimi i këtyre problemeve thuhet se është veçanërisht i shfaqur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Sipas studimit mostrajtimi i këtyre komplikimeve ndikohet nga stigmatizimet kulturore dhe shoqërore dhe mund të jenë të vështira për gratë dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor.

"Shtetet duhet t'i japin përparësi zhvillimit dhe zbatimit të politikave shëndetësore që trajtojnë gamën e plotë të problemeve shëndetësore që priren të dalin shumë kohë pasi gratë së lindin fëmijë”, thuhet në studim.

Drejtori i Departamentit të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues të OBSH-së, doktori Pascale Allotey, (që nuk ishte i përfshirë në studim), ka thënë se këto probleme shkaktojnë vuajtje të konsiderueshme në jetën e përditshme të grave shumë kohë pas lindjes.

“Gratë që kanë komplikime shëndetësore afatmesme deri në afatgjata nga lindja e fëmijës janë kryesisht të nënvlerësuara dhe problemet e tyre mbesin të mosraportuara”, ka thënë ai.

Studimi që u publikua të mërkurën në “The Lancet Global Health”, është një thirrje për gratë që të ndërmarrin veprime e të kujdesen për veten muaj e vite pasi të lindin fëmijë.

Ky studim ka analizuar rezultatet e shumë problemeve shëndetësore që shkaktohen në periudhën kohore gjashtëmujore pasi të kenë lindur gratë dhe ka konstatuar se këto probleme në shumicën e rasteve mbesin totalisht të neglizhuara.

"Gjatë gjithë jetës së tyre dhe përtej të qenit nënë, gratë kanë nevojë për qasje në një sërë shërbimesh nga ofruesit e kujdesit shëndetësor që dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe përmbushin nevojat e tyre. Kështu që ato jo vetëm që mbijetojnë në lindjen e fëmijëve, por mund të gëzojnë shëndet të mirë dhe cilësi të të jetuarit shëndetshëm”, ka thënë Allotey.