Shkencëtarët në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT) kanë zhvilluar një pilulë të re “inteligjente” që mund të dërgojë sinjal sapo të gëlltitet, duke u treguar mjekëve nëse pacienti e ka marrë apo jo terapinë përkatëse në kohë, ka raportuar The New York Post.

Në pamje të parë mund të duket si diçka e vogël, por problemi është serioz.
Studimet tregojnë se rreth gjysma e amerikanëve që vuajnë nga sëmundje kronike nuk i marrin rregullisht ilaçet e tyre.
Pasojat janë të rënda: mosrespektimi i terapive lidhet me rreth 125 mijë vdekje që mund të ishin parandaluar, me 25 për qind të shtrimeve në spital dhe me mbi 500 miliardë dollarë shpenzime të panevojshme në sistemin shëndetësor çdo vit në SHBA.
Arsyet pse njerëzit u shmangen ilaçeve janë të shumta: çmimet e larta, frika nga efektet anësore, udhëzimet e paqarta, dhe, në shumë raste, thjesht harresa.
“Qëllimi ynë është të sigurohemi që kjo teknologji t’i ndihmojë njerëzit të marrin terapinë e duhur, në mënyrë që të përmirësojnë shëndetin e tyre”, ka thënë Giovanni Traverso, profesor i inxhinierisë mjekësore në MIT dhe autor kryesor i studimit.

Laboratori i tij ka zhvilluar edhe më herët kapsula që mund të qëndrojnë në sistemin tretës për ditë ose javë, duke lëshuar ilaçin gradualisht. Por kjo nuk funksionon për çdo lloj medikamenti.
“Ne e dimë që këto sisteme mund të përmirësojnë respektimin e terapisë, por për disa ilaçe nuk mund ta ndryshojmë formën e pilulës. Atëherë pyetja është: çfarë tjetër mund të bëjmë për ta ndihmuar pacientin dhe mjekun të sigurohen që ilaçi po merret?”, ka shpjeguar Traverso.
Zgjidhja që propozon ekipi i MIT-it është përdorimi i valëve radio (RF), sinjale që janë të sigurta për njerëzit dhe që mund të kapen nga jashtë trupit.
Ndryshe nga përpjekjet e mëparshme, ku pilulat përmbanin pjesë që nuk shpërbëheshin dhe mund të shkaktonin bllokime, kjo pilulë e re është projektuar me materiale që treten natyrshëm. Antena e sinjalit është bërë nga zinku dhe është e futur në celulozë, ndërsa kapsula e jashtme është prej xhelatine dhe celuloze.
“Këto materiale janë zgjedhur për shkak të sigurisë së lartë dhe përputhshmërisë me trupin e njeriut”, ka shpjeguar Traverso.
Sapo pilula arrin në stomak, acidi fillon të shpërbëjë mbështjellësin. Në atë moment, ilaçi lirohet dhe pajisja aktivizohet, duke dërguar një sinjal që konfirmon se pilula është gëlltitur.
“Pjesët janë projektuar që të shpërbëhen brenda disa ditësh, duke përdorur materiale që tashmë përdoren gjerësisht në mjekësi, si zinku dhe celuloza”, ka thënë Mehmet Girayhan Sayan, studiues në MIT dhe autori i studimit.
Vetëm një pjesë shumë e vogël e pilulës, një çip rreth 400 mikrometra, nuk shpërbëhet, por testet tregojnë se ai kalon në mënyrë të sigurt përmes sistemit tretës.
“Qëllimi ynë është të shmangim grumbullimin afatgjatë të materialeve në trup, duke siguruar njëkohësisht që konfirmimi i marrjes së ilaçit të jetë i besueshëm”, ka shtuar Sayan, duke theksuar se siguria afatgjatë do të vazhdojë të studiohet.
Për momentin, teknologjia është testuar te pesë derra femra, pasi sistemi i tyre tretës është i ngjashëm me atë të njerëzve. Studiuesit arritën të kapnin sinjalin e pilulës nga stomaku i kafshëve deri në rreth 60 centimetra largësi.
Në të ardhmen, shkencëtarët mendojnë të zhvillojnë pajisje në formë hllkash për njerëzit, të cilat do ta merrnin sinjalin dhe do ta dërgonin drejtpërdrejt te mjekët.
Megjithatë, pilulat inteligjente nuk pritet të përdoren së shpejti në praktikë. Ato duhet të testohen gjerësisht te njerëzit dhe të kalojnë procesin e miratimit. Po ashtu, prodhimi i tyre në masë mbetet sfidë dhe kostoja pritet të jetë e lartë.
“Ne duam t’i përqendrojmë këto pajisje te ilaçet ku mosmarrja e terapisë mund të ketë pasoja shumë të rënda për pacientin”, ka thënë Traverso.
Kjo përfshin, për shembull, pacientët që kanë kryer transplant organesh dhe duhet të marrin rregullisht ilaçe për të parandaluar refuzimin e organit, si dhe persona me çrregullime neuropsikiatrike ose sëmundje infektive si HIV apo tuberkulozi, ku humbja e dozave mund ta përkeqësojë ndjeshëm gjendjen shëndetësore.