Fituesja e çmimit Oscar dhe aktorja Dame Judi Dench ka shprehur përkrahjen e saj për kampanjën dhe peticionin e nisur nga grupi i studiuesve të Alzheimerit të Britanisë i cili nxit Qeverinë që të sigurojë diagnoza të hershme të demencës për Shërbimin e Shëndetësisë Kombëtare.
Fushata “Dementia e Padukshme” vjen pasi objektivi i NHS-së për të sigurua që 66.7% e njerëzve me demencë të marrin diagnozë, u hoq nga udhëzimet e planifikimit të NHS-së për vitet 2025-26.
“Alzheimer's Research UK” raporton se në disa rajone të Anglisë, pacientët mund të presin deri në një vit për një diagnozë pas referimit dhe thekson se ata që jetojnë në zonat më të varfra shpesh përballen me vonesa edhe më të gjata.
Në përgjigje të kësaj, Dench tha: “Shumë njerëz në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar ende presin shumë gjatë për një diagnozë demence - ose nuk e marrin kurrë një të tillë. Një diagnozë mund të mos rregullojë gjithçka, por u jep njerëzve mirëkuptim, qartësi dhe një farë kontrolli në një kohë kur gjithçka ndihet e pasigurt. U lejon familjeve të shfrytëzojnë sa më shumë momentet që u kanë mbetur. Kjo është arsyeja pse kam nënshkruar peticionin dhe pse po i kërkoj publikut të bëjë të njëjtën gjë.
Pesë arsyet pse një diagnozë e hershme e demencës është kaq e rëndësishme
1. Ndihmon në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientit
Një diagnozë e hershme mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së një pacienti.
"Në fakt, ka shumë gjëra që mund të bëhen nga pikëpamja e cilësisë së jetës, veçanërisht kur bëhet fjalë për ruajtjen dhe nxitjen e marrëdhënieve me të dashurit dhe miqtë", thekson Dr. Henk Swanepoel, neuropsikologu kryesor në Cygnet Health Care. "Ka shumë gjëra që mund të bëni për t'u siguruar që, ndërsa sëmundja përparon, pacienti të mund të ketë ende një jetë shumë të mirë dhe të konsiderueshme”.
Për shembull, familjet mund të përshtaten për t’u siguruar që mjedisi të jetë më i njohur dhe ngushëllues për njerëzit që jetojnë me sëmundjen.
“Derisa aftësitë e kujtesës dobësohen, pacientët mund të përdorin sinjale të jashtme, si tabelat e informacionit në shtëpi ose përkujtuesit në telefonin e tyre”, rekomandon Swanepoel.
2. Ofron qasje në trajtime që mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave
Demenca është një gjendje komplekse dhe megjithëse nuk ka shërim, ekzistojnë disa trajtime të disponueshme në NHS që mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave.
“Ekziston një qasje multidisiplinare për mbështetjen e këtyre pacientëve që përfshin monitorimin mjekësor, ushqyerjen, terapinë, medikamentet etj. Disa medikamente dhe disa ndryshime në stilin e jetës mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave dhe ngadalësimin e përparimit. Simptomat si mungesa e vitaminave dhe depresioni shpesh janë të kthyeshme dhe mund të kapen lehtësisht herët”.
3. Ndihmon kujdestarët, anëtarët e familjes dhe miqtë që kërkojnë mbështetje.
“Kujdesi për pacientët me demencë mund të jetë i mundimshëm dhe diagnoza u ofron familjeve mbështetje, edukim, këshillim dhe burime të tjera të rëndësishme. Mbështetja për kujdestarët i ndihmon ata që të jenë më të përgatitur për t’i kujdesur me pacientë”.
Ka shumë grupe të fokusuara në mbështetjen e njerëzve me demencë, përmend Swanepoel, të cilët ndajnë përvoja dhe këshilla që e bëjnë më të lehtë kujdesin ndaj këtyre personave.
4. Nxit diskutime për sigurinë
Duke pasur një diagnozë zyrtare, mund të nxisë biseda për sigurinë.
“Paralajmërimi i hershëm lejon adaptimin me sëmundjen, kështu që është kohë e përshtatshme për të konsideruar reduktimin e rrezikut. Diagnoza nis me diskutimet për ndryshimet e rëndësishme që vijnë në jetë. P.sh nëse pacienti mund të vozisë a po jo”.
5. Lejon njerëzit të jetojnë me demencë dhe të përgatiten për të ardhmen
“Diagnoza e hershme i lejon njerëzit që të marrin vendime për të ardhmen e tyre dhe të mendojnë gjërat si testamentet. Është e rëndësishme që këto aspekte të trajtohen ndërsa aftësitë e tyre për vendimmarrje janë ende të paprekura, për t’u siguruar që ata mund t’i japin ato qartë përpara se demenca të përparojë”.