Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Pastrues uji me kosto të ulët dhe efikasitet të lartë që bazohet në teknologji të lashtë

Njerëzit janë ballafaquar me disa sfida për shekuj me radhë (madje edhe perandorët romakë kishin vështirësi të dilnin nga shtrati me kohë.) Një sfidë me të cilën ende ballafaqohen shumë shoqëri edhe në ditët e sotme është gjetja e ujit të pijshëm dhe të pastër.

Një ekip i shkencëtarëve sapo e ka bërë një zbulim të madh në këtë fushë, por ata nuk e kanë bërë atë me ndonjë mjet të së ardhmes. Ata e bënë këtë duke ia shtuar një element modern teknologjisë të cilën njerëzit e kanë përdorur për shekuj me radhë.

Teknologjia që i mbijetoi kohës

Në maj të vitit 2018, një ekip hulumtuesish nga Universiteti i Buffalos, përfshirë Haomin Song, Qiaoqiang Gan dhe kolegët e tyre, e zbuluan një pajisje mahnitëse për pastrimin e ujit të bazuar në gjëra që i kemi bërë për qindra vjet, transmeton Koha.net. Distiluesit solar (solar stills), siç quhen, e pastrojnë ujin duke e përdorur energjinë solare: e vendosni një enë me ujë të papastër nën një sipërfaqe këndore dhe e lini atë në diell, i cili e ngrohë ujin ashtu që të kondensohet në sipërfaqe dhe të rrjedhë në një tjetër enë, duke e lënë çdo mineral, baktere, dhe toksina të tjera prapa me ç’rast ju mbetet ujë i pastër dhe i freskët. Distiluesit solar janë aq të thjeshtë sa që mund ta bëni një tani duke i shikuar disa video në YouTube. Sigurisht, sikur kjo të ishte e gjitha që e bënë studiuesit, atëherë ky nuk do të ishte lajm.

Distiluesit solar janë të mrekullueshëm sepse e gjitha që ju nevojitet për të funksionuar është pak dritë dielli. Metoda më e zakonshme për pastrimin e ujit sot është osmoza reversibile, dhe ajo kërkon sasi të madhe të energjisë elektrike për të funksionuar - gjë që do të thotë se nuk funksionon jashtë rrjetit elektrik. Problemi me distiluesit solar, megjithatë, është se ata nuk janë thjesht aq efikas në avullimin e ujit. Nxehtësia nga dielli është e vështirë të kontrollohet, dhe pjesa më e madhe e saj humbet në ajrin e ambientit. Ekipi i Gan e rregulloi këtë problem duke e zbuluar një mënyrë për të përdorur nxehtësi të mjaftueshme diellore për ta kondensuar ujin, por jo aq shumë sa për ta tretur atë në ajër.

Edhe Përparimi solar i spektrit të gjerë mund të prodhojë hidrogjen me efikasitet Tech Përparimi solar i spektrit të gjerë mund të prodhojë hidrogjen me efikasitet

Roli i Diellit

Për ta bërë këtë, ata e përdorën një fletë letre të zhytur në karbon dhe të palosur në një formë të “V”-së kokëposhtë, si çatia e disa shtëpive të zogjve në Silicon Valley. Skajet e poshtme të letrës varen në një pishinë të vogël uji, në të cilën letra zhytet si një sfungjer. Ndërkohë, shtresa e karbonit e absorbon energjinë nga dielli dhe e shndërron atë në nxehtësi të mjaftueshme për ta avulluar ujin.

Por ndryshe nga distiluesit e tjerë solar që e përdorin një sipërfaqe të rrafshët për të akumuluar energji solare, fakti që letra e zhytur në karbon është përhapur do të thotë se drita e diellit që e godet atë është më pak intensive. Vetëm mendojeni: keni më shumë gjasa të digjeni nga dielli në shpinë nëse jeni të shtrirë në tokë se sa kur jeni duke qëndruar në këmbë. Kjo e ndihmon atë të qëndrojë në temperaturë të dhomës, duke e lejuar atë ta tërheqë nxehtësinë nga zona përreth dhe ta kompensojë energjinë solare që është humbur gjatë procesit të avullimit.

Rezultati? Pastrim i ujit me efikasitet pothuajse të përkryer. Ekipi ishte në gjendje ta avullonte një ekuivalent prej 2.2 litrash ujë në orë për çdo metër katror të sipërfaqes së ndriçuar nga dielli. Kufiri i sipërm teorik, sipas studimit, është 1.68 litra për orë. Pajisja e tyre e tejkaloi atë që të gjithë mendonin se ishte e mundur.

“Shumica e grupeve që punojnë në teknologjitë e avullimit solar po përpiqen të zhvillojnë materiale të avancuara, si nanomaterialet plazmonike metalike dhe ato me bazë karboni”, tha Gan në një njoftim për shtyp. “Ne u përqendruam në përdorimin e materialeve jashtëzakonisht të lira dhe ende ishim në gjendje të realizojmë performancë rekorde. E rëndësishme është se ky është i vetmi shembull që e di ku efikasiteti termik i procesit të avullimit solar është 100 për qind kur merret parasysh energjia solare.”

Sigurisht, avullimi është vetëm një pjesë e mozaikut. Hapi i ardhshëm është gjetja e një mënyre për ta bërë kondensimin aktual të lagështirës po aq efikas, përcjell Koha.net. “E kemi një dorëshkrim tjetër në shqyrtim i cili flet për mënyrën se si ta përmirësojmë kondensimin e lagështisë”, tha Gan për Curiosity. “Ai lidhet me teknologjinë e ftohjes për ta grumbulluar ujin nga ajri”.

Edhe Mënyrë e re për të ruajtur energjinë diellore Tech Mënyrë e re për të ruajtur energjinë diellore

Song, Gan, dhe ekipi e kanë lansuar një startup të quajtur Sunny Clean Water për të ndihmuar në sjelljen e teknologjisë së re tek njerëzit që kanë nevojë më së shumti për të. Sapo ta kenë integruar sistemin e avullimit në një distilizues solar me shkallë të plotë, ata mund të sjellin pastrim të lirë dhe efikas të ujit në shoqëritë në mbarë botën.

Legjenda e fotos: Teknika e re e pastrimit të ujit përfshin varjen e një flete letre të karbonit të zhytur në një “V” kokëposhtë. Skajet e fundme të letrës e thithin ujin, ndërsa shtresa e karbonit e thith energjinë solare dhe e transformon atë në nxehtësi për avullim. (Huaxiu Chen)