Lifestyle

Lëshohen paralajmërime për rreziqet e fillerëve të fytyrës

Injektimi i fytyrës për reduktimin e rrudhave

Injektimi i fytyrës për reduktimin e rrudhave

Foto: Associated Press

Ekspertët po kërkojnë që personat që bëjnë filler (mbushje për reduktimin e rrudhave, si për shembull botoks) në fytyrë të paralajmërohen për një komplikim të rrezikshëm që lidhet me bllokimin e arterieve, një problem që mund të shkaktojë humbje të lëkurës dhe madje edhe verbëri për shkak të dëmtimit të qarkullimit të gjakut, ka raportuar BBC.

Hulumtuesit përdorën ultrazërin për të analizuar 100 raste ku injektimet me filler kanë shkuar keq.

Tashmë, klinikave u rekomandohet të bëjnë ultrazë para se të injektojnë filler në fytyrë, për të shmangur dëmtimin e arterieve përreth.

Sipas doktoreshës Rosa Sigrist, ani se këto raste janë të rralla, “okluzionet vaskulare”, kur filleri injektohet në ose pranë enëve të gjakut, mund të jenë shkatërruese. Ato mund të shkaktojnë vdekje të indeve dhe deformime të fytyrës nëse nuk trajtohen me kohë.
Fillerët përdoren zakonisht për rrudha, për të “rinuar” lëkurën ose për të ndryshuar formën e hundës dhe buzëve.

Sigrist ka theksuar se zona rreth hundës është veçanërisht e rrezikshme, sepse enët e gjakut aty lidhen me pjesë shumë të rëndësishme të kokës. Dëmtimi i tyre mund të çojë në komplikime të rënda, përfshirë dëmtim të lëkurës, verbëri dhe sulm në tru.

Ekipi i saj në Universitetin e Sao Paulos ka analizuar komplikimet vaskulare në 100 pacientë nga qendra të ndryshme në Brazil, Kolumbi, Kili, Holandë dhe SHBA, midis majit 2022 dhe prillit 2025. Rezultatet pritet të prezantohen në takimin vjetor të Shoqatës Radiologjike të Amerikës Veriore.

Në gati gjysmën e rasteve, ultrazëri ka treguar mungesë të qarkullimit të gjakut në enët e vogla që lidhin arteriet sipërfaqësore me ato të thella të fytyrës. Ndërsa në një të tretën e rasteve, mungonte qarkullimi edhe në enë më të mëdha të gjakut.

Për të shmangur komplikimet, ajo rekomandon që klinikat të përdorin ultrazërin për të planifikuar vendin e injektimit. Nëse ndodh një komplikim, ultrazëri mund të ndihmojë edhe trajtimin.

“Nëse injektuesit veprojnë pa ultrazë, ata trajtojnë sipas asaj që shohin me sy dhe injektojnë verbërisht. Por nëse e shohim problematikën me ultratingull, mund të synojmë pikërisht vendin ku është bllokimi”, ka thënë Sigrist.

Kjo shmang nevojën për të përdorur sasi të mëdha të ilaçit hialuronidazë për të tretur fillerin, duke mundësuar trajtim më të saktë.

Shoqata Britanike e Kirurgëve Plastikë Estetikë (BAAPS) ka deklaruar se përdorimi i ultrazërit po rritet, por ende nuk është standardi i zakonshëm i kujdesit. Ultrazëri është i sigurt, jo-invaziv dhe pa rrezatim.

Presidentja e BAAPS, Nora Nugent, ka thënë se hartimi paraprak i enëve të gjakut ndihmon shumë përpara trajtimit dhe se rreziqe të tilla janë arsyeja pse organizata ka kërkuar më shumë rregullim për procedurat estetike, përfshirë kufizimin e injeksioneve vetëm për profesionistë shëndetësor të trajnuar.

Qeveria e Britanisë ka paralajmëruar kufizime të reja për procedurat estetike.

Sipas propozimeve, vetëm profesionistë “të kualifikuar siç duhet” do të lejohen të kryejnë procedura të rrezikshme si ajo për ngritjen e vitheve që quhet “Brazilian butt lift”.

Klinikat që ofrojnë filler dhe botoks do të duhet të marrin licencë dhe të plotësojnë standarde të rrepta.

Konsultimi publik do të hapet në fillim të vitit 2026 dhe më pas Parlamenti do të vendosë rregullat që do të hyjnë në fuqi.