Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Një e pesta e botës rrezikohet nga prishja e ekosistemeve

Një e pesta e vendeve të botës janë të ballafaquara me rrezikun e prishjes së ekosistemeve të tyre, për shkak të shkatërrimit të botës së egër dhe habitateve të tyre. Kështu ka treguar të hënën një analizë e kryer nga kompania e sigurimeve “Swiss Re”.

“Shërbimet” natyrore, si ushqimi, uji dhe ajri i pastër, si dhe mbrojtja ndaj përmbytjeve, tashmë janë dëmtuar nga veprimet njerëzore.

Më shumë se gjysma e GDP-së botërore – 42 trilionë dollarë – varen nga biodiversiteti shumëfunksional, ka bërë të ditur raporti, duke paralajmëruar se rreziku nga “pikat e kthesës” po rritet.

Vendet përfshirë Australinë, Izraelin dhe Afrikën Jugore renditen afër vendeve të indeksit të “Swiss Re”-së me rrezik të biodiversitetit dhe shërbimeve të ekosistemit, me Indinë, Spanjën dhe Belgjikën, gjithashtu të theksuara në raport. Vendet me ekosisteme të dobëta dhe sektorë të mëdhenj fermash, si Pakistani dhe Nigeri, janë ngritur po ashtu në listë.

Vendet si Brazili dhe Indonezia kanë gëzuar hapësira të mëdha të ekosistemit të paprekur, por kanë pasur një varësi të madhe ekonomike nga burimet natyrore, gjë kjo që e shpërfaqi rëndësinë e mbrojtjes së vendeve të tyra të egra, thuhet në analizën e “Swiss Re”.

“Një e pesta marramendëse e vendeve në tërë botën janë në rrezik të prishjes së ekosistemeve të tyre, për shkak të mungesës së biodiversitetit dhe shërbimeve të lidhura fitimprurëse”, thuhet nga “Swiss Re”, një nga risiguruesit më të mëdhenj të botës dhe bazë e industrisë globale të sigurimeve. “Nëse vazhdon mungesa e shërbimeve të ekosistemit (në vendet në rrezik), do të mund të shihni teksa mungesat do të shpalosen edhe më ashpër, në pikat më të larta”, ka thënë Oliver Schelske, udhëheqës i studimit.

Jeffrey Bohn, zyrtar i hulumtimeve, ka thënë: “Ky është treguesi ynë i parë mesa e dimë, që ka bashkuar indikatorët e biodiversitetit dhe ekosistemit për t’i krahasuar ato përreth tërë botës, dhe pastaj veçanërisht e ka lidhur me ekonominë e këtyre vendeve”.

Treguesi ishte krijuar për t’iu ndihmuar siguruesve që t’i vlerësojnë rreziqet e ekosistemit, kur kanë vendosur çmimet për bizneset, por Bohn ka thënë se mund të ketë përdorim më të gjerë pasi që kjo “ua lejon bizneseve dhe qeverive për t’i bërë biodiversitetin dhe ekosistemet pjesë të vendimmarrjeve të tyre ekonomike”.

Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur në shtator se qeveritë e botës kanë dështuar ta arrijnë të paktën një synim për t’i ndaluar humbjet e biodiversitetit në dekadën e kaluar, përderisa shkencëtarët kishin paralajmëruar më 2019 se njerëzit ishin në rrezik nga mungesa e përshpejtuar e sistemeve natyrore të Tokës, që e mbështesin jetën në të. Më shumë se 60 liderë kombëtarë së fundmi janë zotuar që ta ndalojnë shkatërrimin.

Treguesi i “Swiss Re” është ndërtuar mbi 10 ekosistemet kyç, të identifikuar nga shkencëtarët botërorë dhe përdor të dhëna shkencore për ta hartuar gjendjen e këtyre shërbimeve në një madhësi prej një kilometri katror përreth tokës së botës.

Shërbimet përfshijnë sigurimin e ujit dhe ajrit të pastër, ushqimit, drurit, pjalmimit, tokës pjellore, kontrollit të erozionit, mbrojtjes së bregdetit, gjithashtu edhe masa për paprekshmërinë e habitatit.

Këto vende për të cilat është zbuluar se më shumë se 30 për qind të hapësirave të tyre kanë ekosisteme të dobëta, ishin vlerësuar se janë në rrezik për t’u prishur. Vetëm një nga shtatë vendet kanë pasur ekosisteme të paprekura në më shumë se 30 për qind të hapësirës së tyre.

Në mesin e ekonomive të G20-s, Amerika Jugore dhe Australia ishin konsideruar si vendet më në rrezik, të pasuara nga Kina, si e shtata në listë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të nëntat dhe Britania e Madhe e 16-ta.

Alexander Pfaff, profesor i politikave publike, ekonomisë dhe mjedisit në Universitetin Duke të SHBA-së, ka thënë: “Shoqëritë, nisur nga ato në lokale deri tek ato globale, mund të bëjnë shumë më tepër, kur jo vetëm të vetëdijesohemi për rëndësinë e kontributeve nga natyra – siç po bën ky tregues – por edhe të mendojnë se si po veprojnë, privatisht dhe publikisht”.

Pfaff ka thënë se ishte e rëndësishme të theksohej se ndikimet ekonomike të degradimit të natyrës fillojnë shumë më herët sesa prishja e ekosistemit.

“Emërimi i një problemi mund të jetë gjysma e zgjidhjes, por pjesa tjetër është veprimi”, ka shtuar ai.

“Swiss Re” ka njoftuar po ashtu se vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim e sipër ishin në rrezik të humbjes së biodiversitetit. Mungesa e ujit, për shembull, mund t’i dëmtojë sektorët e prodhimit, pronat dhe zinxhirët e furnizimit.

Bohn ka thënë se rreth 75 për qind e pasurive globale nuk ishin të siguruara, pjesërisht për shkak të të dhënave të pamjaftueshme. Ai ka thënë gjithashtu se treguesi mund të ndihmojë në vlerësimin e rreziqeve, si humbjet e të korrave dhe përmbytjet.

Artikuj të ngjashëm