Barnatoret në Kosovë vazhdojnë t’u lëshojnë qytetarëve barna edhe pa përshkrimin e mjekut. Këtu hyjnë edhe antibiotikët, të cilët llogariten si të rrezikshëm nëse përdoren pa rekomandim të mjekut.
Qytetarët i kanë thënë Radio Kosovës se jo vetëm antibiotikë, po çfarëdo bari mund të marrin pa recetë në barnatoret e vendit.
Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallën më të lartë në Europë të përdorimit të disa llojeve të antibiotikëve. Në barnatoret e Kosovës antibiotikët vazhdojnë të shiten edhe pa recetën e mjekut.
Këtë e pohojnë edhe disa nga të intervistuarit tanë, të cilët janë shprehur se në farmaci kanë marrë çfarë do lloj bari, për të cilët nuk kanë pasur përshkrim të mjekut.
“Ne kemi marrë vetë antibiotikë pa recetën e mjekut, e dimë që kjo nuk është e preferuar, por ja që te ne bën edhe kjo. Nuk ka asnjë bari që nuk shitet pa recetë, secilin bari mund ta marrësh pa recetë, kjo nuk është e drejtë!”
Ndërkaq për farmacistin Shkumbin Isufaj, marrja e antibiotikëve pa përshkrimin e mjekut, është shumë e rrezikshme. Ndonëse, sipas tij, tashmë qytetarët janë të vetëdijesuar që të mos marrin barëra pa përshkrim të mjekut, prapë ka raste kur qytetarët konsultohen vetëm me farmacistin dhe kryesisht zgjedhin antibiotikët.
Edhe
Barnatoret ofrojnë medikamente pa përshkrim nga mjeku
“Një antibiotik i cili merret pa nevojë është helm për organizmin si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët. Njëri nga rreziqet e mëdha është se antibiotikët e cenojnë shumë sistemin mbrojtës të organizmit, pra shkakton probleme në imunitet.”
Pavarësisht rrezikut që ka konsumimi i antibiotikëve apo barërave të tjera pa përshkrimin e mjekut, qytetarët vazhdojnë t’i marrin ato pa i menduar pasojat. Antibiotikët trajtojnë infeksionet bakteriale e assesi ato virale. Shumica e njerëzve i përdorin gabimisht antibiotikët për infeksione shumë të zakonshme, çka aspak nuk janë të nevojshëm p.sh. si te dhimbje fyti te fëmijët, kollë dhe rrjedhje hundësh.