Në jetën e përditshme me stres, orare të ngjeshura dhe gjumë të çrregullt, shumë simptoma duken të parëndësishme, por disa prej tyre mund të jenë shenja të problemeve serioze shëndetësore.
The Independent ka biseduar me dy mjeke amerikane, doktoreshen Lori Solomon nga New York Medical College dhe doktoreshën Estelle Williams, drejtoreshë mjekësore në CityMD në jug të New Jerseyt, për të kuptuar cilat simptoma nuk duhet kurrsesi të injorohen.
1. Shkuarja shumë e shpeshtë në tualet
“Nëse zgjoheni dy ose tre herë çdo natë për të urinuar, kjo mund të jetë shenjë e diabetit. Kur niveli i sheqerit në gjak është i lartë, trupi përpiqet ta largojë përmes urinës”, ka thënë Solomon.
Williams ka shtuar se “etja e shtuar dhe oreksi i madh pa shpjegim janë gjithashtu shenja që duhen kontrolluar sa më shpejt”.
2. Dhimbje që ju zgjon gjatë natës
“Dhimbjet e zakonshme nuk ju zgjojnë nga gjumi. Nëse zgjoheni natën nga një dhimbje koke, kjo është shqetësuese – mund të jetë një problem neurologjik”, shpjegon Solomon.
3. Dhimbje koke të papritura dhe të forta
“Shumë njerëz e quajnë gabimisht migrenë çdo dhimbje koke. Në fakt, migrena është një diagnozë specifike dhe kërkon vlerësim neurologjik”, ka thënë Williams.
Solomon ka theksuar se nëse dhimbja e kokës është shumë e fortë, e menjëhershme dhe e pazakontë, kërkon vizitë urgjente në spital.
4. Vështirësi në frymëmarrje apo lodhje e tepërt
“Nëse gjatë një aktiviteti të zakonshëm ndiheni të rraskapitur dhe me vështirësi në frymëmarrje, është koha të konsultoheni me mjekun”, rekomandon Williams.
Ndërkohë Solomon ka shtuar se “lodhja e vazhdueshme, që iu pengon në aktivitetet e përditshme, mund të jetë shenjë e sëmundjes së zemrës, apnesë së gjumit apo edhe disa llojeve të kancerit”.
5. Thartirë në stomak apo thjesht dispepsi?
“Shumë njerëz që po përjetojnë një sulm në zemër, mendojnë se kanë thartirë stomaku. Nëse gjatë ecjes ndjeni sikur keni dispepsi dhe ajo largohet kur ndaloni, kjo është një sinjal që vjen nga zemra”, ka thënë Solomon.
Kurse Williams shton se “nuk është gjithmonë thjesht thartirë apo ushqim i rëndë. Ndonjëherë, ajo që duket si dispepsi, është maskim i një problemi serioz të zemrës”.
6. Gjak në jashtëqitje apo urinim
“Të shohësh gjak në jashtëqitje apo në urinim nuk është normale. Shumë e lidhin me hemorroide, por kjo mund të jetë shenjë e kancerit të zorrës së trashë”, ka thënë Williams.
Solomon thekson se “gjaku në urinë zakonisht lidhet me gurët në veshka apo infeksione urinare, por sërish duhet vizituar mjekun”.
7. Simptoma që nuk largohen
“Nëse një kollë zgjat më shumë se katër javë, duhet kontrolluar. Nëse një simptomë zgjat me muaj, edhe pse duket e vogël, mund të tregojë diçka më serioze” thotë Solomon.
Ndërsa Williams shton se “humbja e pashpjegueshme në peshë është gjithashtu një simptomë për t'u marrë seriozisht”.
Më mirë herët se vonë
“Shumë njerëz ndihen në siklet të paraqiten te mjeku për simptoma që duken të vogla. Por ne nuk mund të presim që njerëzit të dinë çfarë dimë ne si mjekë. Më mirë t’i themi pacientit që është gjithçka në rregull, sesa të neglizhojmë diçka serioze”, ka përfunduar Solomon.